Miratohet Akti Normativ për kontributet në profesionet e lira
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 71 vota pro aktin normativ të qeverisë për ndryshime në mbledhjen e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për profesionet e lira.
Qeveria argumentoi në fund të janarit se akti normativ u ndërmor në kushtet e pamundësisë kohore për hartimin e akteve nënligjore, pasi vendimi që Gjykata Kushtetuese mori në korrik të vitit të kaluar për rrëzimin e ligjit “për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, prodhoi boshllëk ligjor.
Në fjalën e tij në seancën plenare të së enjtes, deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Koçi, shpjegoi se si do bëhet llogaritja e kontributeve me ndryshimet e reja ligjore, referuar edhe propozimeve të bëra nga Komisioni i Ekonomisë.
Duke folur për vendimet e fundit të qeverisë, deputeti socialist, Ervin Bushati, tha se rritja e pagave dhe pensioneve nuk vjen si një vendim populist i qeverisë, por duke u bazuar në reformat e ndërmarra dhe rritjen ekonomike të vendit.
Në seancën plenare të së enjtes, mazhoranca miratoi me 71 vota projektligjin për “administrimin e ujitjes dhe kullimit”, projektrezolutën “për vlerësimin e veprimtarisë së Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura për vitin 2016”, si dhe kërkesën për zgjatjen e afateve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore edhe me 1 muaj kohë.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.