Miratohet paketa “Anti-shpifje”. Ngrihet Këshilli i Ankesave, portalet nuk mbyllen pa vendim gjykate
Është miratuar në Kuvend paketa anti-shpifje, e cila është kthyer në qendër të debatit publik midis deputetëve të mazhorancës, opinionistëve dhe gazetarëve.
82 deputetë dhanë votën e tyre për paketën, të cilën kryeministri Edi Rama thotë se do të luftojë lajmet e rreme dhe shpifjet në median online. Sipas tij kjo paketë bën të mundur hapjen e një driatareje ankese për çdo qytetar, i cili ndihet se nën personin e tij po hidhen akuza të padrejta. Në fjalimin e gjatë në parlament, kryeministri është shprehur se ligji është në përputhje 100% me standartet ndërkombëtare. Ndërkohë gazetarët që kanë qenë edhe në një protestë përpara parlamentit e konsiderojnë ligjin kapje dhe kontroll mbi median: ‘Një armë për të intimiduar në lirinë e tyre të shprehjes.’ Ata shprehen se ky rregullim i portaleve nga qeveria nuk është në përputhje me parimet dhe ligjet europiane, që në bazë të tyre kanë vetë-rregullimin e mediave online.
Vetëm 13 deputetë u shprehën kundër kësaj pakete, 5 abstenuan dhe 5 deputetë nuk morën pjesë në votim.
Deputetët kanë votuar edhe një propozim të kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, sipas të cilit vendimet e Bordit të AMA-s, ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.
Pika më e kritikuar pra është hequr, ajo në të cilën AMA urdhëronte AKEP-in të mbyllte një portal nëse për 60 minuta nuk kishte fshirë një lajm që kishte pornografi me fëmijët, terrorizëm, dhe cënon sigurinë kombëtare. Pra, një portal nuk do mbyllet pa një vendim gjykate.
Me paketën e re, Autoriteti i Mediave Audiovizive do të ngrejë Këshillin e Ankesave, përbërë nga gazetarë dhe juristë, që do të luajë rolin e një ‘gjykate paraprake’ duke ndëshkuar shkelësin me masat e parashikuara që nisin që nga korrigjimi, gjoba, pezullim dhe heqje të licencës.
Subjekti i ndëshkuar mund të bëjë ankim në bordin e AMA-s, brenda 30 ditëve nga vendimi i Këshillit të Ankesave, më pas çështja kalon në gjykatë.
Tashmë do të jetë Presidenti i Republikës që do të vendosë nëse do e dekretojë ligjin apo do e rikthejë për shqyrtim në Parlament.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.