Miratohet paketa e shpenzimeve – Shuma prej 1,3 trilionë USD pret firmën e Trump
Kongresi i Shteteve të Bashkuara votoi këtë javë për të miratuar një paketë të shpenzimeve prej 1.3 trilionë dollarë, duke e dërguar te presidenti Donald Trump, që pritet ta nënshkruajë. Duke marrë nënshkrimin e Trump, projektligji do të parandalojë mbylljen e qeverisë dhe do të mbajë me financim agjencitë federale deri më 30 Shtator.
Senati i dha 65 vota pro nga 97 në total, pak orë pas kalimit në Dhomën e Përfaqësuesve me 256 pro-167 kundër. Pavarësisht thirrjes nga liderët republikan për kalimin e paketës, disa anëtarë të partisë votuan kundër.
Edhe pse republikanët kontrollojnë të dyja dhomat në Kongres dhe Shtëpinë e Bardhë, ata kanë hasur vështirësi që në Janar të 2017-ës për të miratuar legjislacionin e buxhetit. Një nga kritikët më të mëdhenj ishte senatori republikan Rand Paul, që e quajti një paketë të shpenzimeve të panevojshme.
Bashkuar me reduktimet tatimore, projektligji i qeverisë projektohet të rrisë defiçitin në buxhet me më shumë se 800 miliardë dollarë këtë vit.
Trump publikoi në Twitter se projekti do të mbështesë ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, gjë të cilën ai e cilëson të rëndësishme në frenimin e emigrimit të jashtëligjshëm. Përveç shpenzimeve në mbrojtje, masat përfshijnë edhe financim për përmirësimin e infrastrukturës dhe trajtimin e ndërhyrjeve në zgjedhje nga Rusia.
Në përgjigje të irritimit publik mbi zotërimin e armëve, projekti përfshin përmirësime të kontrolleve në shitjen e armëve dhe grante për shkollat që të parandalojnë përdorimin e tyre.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.