Miratohet vendimi – Si do të shpërndahet financimi nga buxheti 2018 për bashkësitë fetare
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e masës së financimit për bashkësitë fetare nga buxheti i vitit 2018. Referuar vendimit, masa e financimit për komunitet kap vlerën e 109 000 000 lekë. Komuniteti Mysliman do të përfitojë 31 680 000 lekë, të cilat do të ndahen si më poshtë:
- 11 520 000 për punonjësit e administratës
- 20 160 000 për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 140 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar
Ndërkohë, 25 776 000 lekë do të shkojnë për Kishën Ortodokse Autoqefale, nga të cilat 20 016 000 lekë do të shkojnë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 139 punonjës të administratës. Ndërsa, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar do të përdoren 5 760 000 lekë.
Kisha Katolike po ashtu do të përfitojë të njëjtën vlerë me Kishën Ortodokse, të ndara si më poshtë:
- 6 336 000 lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 44 punonjës të administratës
- 19 440 000 lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 135 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
Ndërsa, përfituese e 25 768 000 lekë është edhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane, ku 3 744 000 lekë do të shkojnë për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 26 punonjës të administratës dhe pjesa tjetër, përkatësisht 15 024 000 do të ndahen në këtë mënyrë:
- 12 024 000 për ndërtimin e Teqesë së Elbasanit
- 3 000 000 lekë për ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër
Ndërkohë, për shkak të pozitës së veçantë si Kryegjyshatë Botërore me qendër në Tiranë, 7 milionë lekë do të përdoren për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë-preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2018.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.