Mirëmbajtja e rrugëve gjatë dimrit – “Lumë” ankesash për tenderët, kontratat ende të panënshkruara
Shumë akse rrugore rrezikojnë mirëmbajtjen gjatë stinës së dimrit, duke qenë se ende nuk janë nënshkruar kontratat e reja me Autoritetin Rrugor Shqiptar. Shkak për këtë situatë janë bërë ankesat e depozituara nga operatorë të ndryshëm ekonomikë pranë Komisionit të Prokurimit Publik, në lidhje me procedurat e ndjekura nga autoriteti kontraktor. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në periudhën 19 tetor-19 nëntor janë depozituar 7 ankesa, që përfshijnë mbi 17 segmente të ndryshme rrugore.
Ndërkohë që, organi më i lartë në shqyrtimin e tyre, që është KPP nuk ka dalë ende me një vendim, që mund të lejonte vazhdimin e procedurave tenderuese me kriteret e vendosura nga ARRSH apo rizhvillimin e tyre, me kritere të ndryshuara. Rruga Korçë- Ersekë, Boboshticë-Dardhë, Berat-Çorovodë, Rrëshen -Shpal, janë disa prej akseve që janë proces ankimimi. Në kushtet kur këto kontrata nuk janë nënshkruar ende, kërkohet ndërhyrja e Autoritetit Rrugor Shqiptar, por kjo nuk është një situatë normale që mund të garantojë mirëmbajtjen e rrugëve.
Kjo nuk është hera e parë që ankesat e operatorëve ekonomikë shkaktojnë vonesa në nënshkrimin e kontratave të mirëmbajtjes së rrugëve, në prag të stinës së dimrit. Megjithatë, së fundmi ARRSH ka arritur të finalizojë 2 procedura tenderuese për “Mirëmbajtje me performancë të rrugëve të Rajoni Qendror“, si dhe një kontratë tjetër për rajonin verior.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.