Mirëmbajtja e rrugëve, Xhika: Janë lidhur kontratat me 4 kompanitë fituese
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka lidhur kontratat me 4 kompani ndërkombëtare për mirëmbajtjen e 1300 km rrugë nacionale për 5 vitet e ardhshme, në kuadër të projektit me Bankën Botërore prej 128 milionë eurosh. Pjesë e kompanive fituese kanë qenë edhe kompani shqiptare, ndërsa ndarja e kontratave është bërë në 4 rajone kryesore. Në një intervistë për TV SCAN, Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH, Dashamir Xhika bën me dije se cilët janë fituesit, ndërsa sqaron se tashmë kontratat janë tërësisht efektive.
“Për Lotin e parë ka fituar kompania “Biolap A.T.E.VE” dhe në “JV” me kompaninë Geci, lotin e dyte e ka fituar po ky grup kompanish. Lotin e tretë e ka fituar një kompani saudite. Lotin e katërt e ka fituar kompania “Elikateknical” në “JV” me Salillari sh.p.k. Kontratat janë lidhur, janë efektive dhe së shpejti do të shohim rezultatet dhe punën cilësore që do bëhet në këto akse. Jo të gjitha akset janë përfshirë në këtë projekt. Do të jenë 1300 km nga 4000 km që administron ARRSH-ja”.
Xhika thekson se nuk ka mbivendosje të kontratave me kontraktorët që kanë mirëmbajtur këto akse aktualisht dhe nuk do të ketë taksa të shtuara për qytetarët.
“Kontratat e këtyre akseve ku hyn në fuqi projekti i BB përfundonin në dhjetor të 2016. Për këtë u ndoqën procedurat ligjore me shtesa kontratash dhe deri në momentin e hyrjes në fuqi të projektit të Bankës Botërore. Nuk ka asnjë mbivendosje aty ku aktualisht kryhet projekti i Bankës Botërore, pra kontraktorët lokalë nuk janë më. Absolutisht nuk do të ketë një taksë për kalimtarët në këto akse. Është thjesht një mirëmbajtje me standardet bashkëkohore që këto akse të mos jenë në atë gjendje siç kanë qenë më para”.
Loti 1 i korrespondon Rajonit verior Shkodër- Kukës, me vlerë kontrate 21.2 milionë euro, Loti 2 rajonit Qendor-Verior, Tiranë-Dibër me vlerë 19.2 milionë euro, Loti 3 i përket rajonit Qendror dhe Juglindor, Fier-Elbasan-Korçë me vlerë 13.5 milionë euro dhe Loti i 4 i përket Rajonit Jugor, Vlorë-Gjirokastër me një kontratë që arrin vlerën e 16.5 milionë eurove.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.