Mirësevini në aeroportin fantazmë që kushtoi 1 miliardë euro – Në nëntë vjet, vetëm një fluturim!
Ekonomia europiane ishte në kulmin e lulëzimit të saj e nxitur kryesisht nga borxhet në fillim të viteve 2000. Europa Jugore ishte në rrugën e rritjes, çka nënkuptonte se projektet e ndërtimit mund të financoheshin lehtësisht për t’iu përgjigjur këtij ekspansioni. Pastaj, goditi kriza financiare, si pasojë kërkesa u zvogëlua, si për investime në udhëtime ashtu edhe për infrastrukturë, duke lënë të braktisura disa projekte ndërtimi madhështore.
Një nga projektet më të njohura ishte pikërisht rasti për aeroportin Ciudad Real në Spanjë i cili raportohet se kushtoi 1 miliardë euro për t’u ndërtuar. Projektuar fillimisht për të larguar trafikun e tepërt nga aeroporti i Barajas në Madrid, aeroporti ajror ishte i vendosur 150 milje në jug të qytetit. Në një kohë kur linjat ajrore low-cost po mbanin ulur kostot duke shërbyer nëpër aeroporte sekondare, vendndodhja në distancë e Ciudad Real ishte jo shumë interesante për pasagjerët dhe linjat ajrore.
Aeroporti ndërkombëtar ishte i hapur për vetëm tre vjet dhe dispononte vetëm dy linja ajrore, Ryanair dhe Vueling, me fluturime që subvencionoheshin nga qeveria.
Aeroporti i braktisur pasi ra në përkeqësim, i duhej më pas të vendoste kryqe të mëdha boje të verdhë mbi sipërfaqen e tij për të paralajmëruar kështu pilotët që mos të zbrisnin aty në asnjë mënyrë pasi nuk ishte më funksional, duke u nxjerrë më vonë në shitje zyrtare.
Me një çmim fillestar prej 80 milion euro, ky aeroport u mor përfundimisht në korrik 2015 nga Tzaneen International, një grup investitorësh britanikë dhe aziatikë, për vetëm 10 mijë euro. Firma tha në një deklaratë se kishte planifikuar të investonte midis 60 deri 100 milion euro për rigjenerimin e fushës dhe se “disa ndërmarrjeve kineze janë të interesuara ta bëjnë atë në pikën e tyre kryesore të hyrjes në Europë.” Sidoqoftë, gjykata tregtare e Spanjës e refuzoi ofertën duke thënë se ishte shumë e ulët dhe se terminali i aeroportit dhe parqet e makinave nuk do të ishin të përfshira në kosto.
Të njëjtin vit, një investitor i paidentifikuar i propozoi gjykatës një ofertë prej 28 milion eurosh për aeroportin, megjithatë, edhe ky transaksion i mundshëm dështoi.
Tre vjet më vonë aeroporti u shit përfundimisht për 56.2 milion euro tek Ciudad Real International Airport SL në Shtator 2018. Aeroporti realizoi fluturimin e tij të parë muajin e kaluar, por, për ironi, asnjë pasagjer nuk ishte në bordin e 747 që zbarkoi në fushë.
Vitet e fundit kanë shënuar ndryshime të vazhdueshme pronësie të aeroportit fantazmë, me një përpjekje për ta emërtuar atë si aeroporti i Madridit të Jugut duke qenë se ndodhet 150 milje larg.
Aktualisht me firmat që po kërkojnë të investojnë në këtë fushë, ka ende një rrugë shpëtimi për këtë strukturë të braktisur dikur, e cila mundet edhe të shndërrohet në një aeroport tregtar mallrash e shërbimesh por vështirë të imagjinohet nëse pasagjerët do të jenë të gatshëm të kalojnë një distancë kaq të madhe nga Madridi, veçanërisht kur fluturojnë fluturime europiane me distancë të shkurtër. (Forbes)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.