Mishi më i lirë në BE! Shqipëria, një çmim 45% më të ulët se mesatarja e unionit
Shqipëria ka çmimin më të ulët të mishit në Europë. Referuar të dhënave të publikuar nga Eurostat për vitin 2017, vendi ynë kishte një çmim të mishit sa gjysma e mesatares së Bashkimit Europian.
Niveli i çmimit konsumator të mishit në të gjithë Bashkimin Europian matet me vlerën 100, ndërsa për Shqipërinë ky nivel është në 55. Pra, kemi të bëjmë me një çmim mesatar 45% më të lirë se çmimi i mishit në Bashkimin Europian. Madje, vendi ynë ka çmimin më të lirë edhe se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në rajonin tonë, çmimin më të lartë të mishit e ka Kosova, me vlerën 68.7, ndërsa më pas vijnë Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina me 67.3 dhe 67 respektivisht, kundrejt mesatares së rajonit prej 62.1.
Por, pavarësisht çmimit të ulët të mishit në vendin tonë, Eurostat nuk merr për bazë cilësinë apo origjinën e këtij produkti. Ndërkohë, referuar të dhënave zyrtare në vend, Shqipëria ka eksportuar 4,473 kilogram sallam dhe produkte te ngjashme prej mishi.
Ndërkohë, në të gjithë Bashkimin Europian çmimin më të shtrenjtë të mishit e ka Luksemburgu, 41% më të shtrenjtë se mesatarja e BE, ndërsa çmimi më i lirë është në Poloni, 43% më i lirë se vendet e unionit.
Kosova 68.7
Mali i Zi 67.3
Bosnja 67
Serbia 64
Maqedonia 57.3
Shqipëria 55
Mesatarja e rajonit 62.1
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.