Kosovë, misioni i BE-së vlerëson pozitivisht procesin zgjedhor
“Pozitivisht” është vlerësuar procesi i zgjedhjeve lokale në Kosovë nga misioni i vëzhguesve të Bashkimit Evropian, raporton KTV.
Ky mision që ka vëzhguar zgjedhjet përfshirë edhe fushatën ka thënë se zgjedhjet e 22 tetorit ishin më të mirorganizuarat dhe më transparentet se ato lokalet të 2013-s.
Këto detaje janë dhënë në konferencën për media të këtij misioni, por shqetësuese sipas tyre mbetet demokratizimi i procesit në komunat me shumicë serbe.
“Procesi zgjedhor kishte ndryshime të konsiderueshme në mes të komunave me shumicë shqiptare dhe atyre me shumicë serbe. Fushata gjithashtu u dëmtua nga kërcënimet brenda komunitetit me shumicë serbe të Kosovës, në veçanti u vunë në shënjestër subjektet politike jashtë Listës Serbe, duke u bërë atyre presion që të tërhiqen nga gara”, ka thënë Alojz Peterle, Shef i Misionit të Vëzhgimit të BE-së.
Vëzhguesit e këtij misioni kanë qenë në 466 vendvotime në të gjithë Kosovën dhe sipas shefit të tyre, nuk janë vërejtur incidente të mëdha.
Por, vëzhguesit kanë vërejtur votim familjar, probleme me listën zgjedhore dhe më pas mos ndjekje të të gjitha procedurave në procesin e numërimit të votave.
Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve ka pasur më shumë se 100 vëzhgues në 38 komuna të vendit dhe sikurse në zgjedhjet e qershorit, ata janë ftuar nga institucionet e Kosovës për t’i vëzhguar zgjedhjet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.