“Misteri” pas udhëheqësit të Koresë së Veriut – Pse Kim Jong Un ka humbur 20 kg?
Udhëheqësi i Koresë së Veriut ka tërhequr vëmendjen botërore mediatike për shkak se pas një mungese në daljet publike, është shfaqur me 20 kg të humbura. Ky dobësim ka ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi shëndetin e 37 vjeçarit Kim Jong Un.
Kim u shfaq në paradë për t’i bërë homazh gjyshit të tij, ku po ashtu u dallua prerja e tij e flokëve, e ngjashme me atë të Kim Il Sung, rreth 70 vjet më parë.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut mund të ketë rënë të paktën 20 kilogramë gjatë muajve të fundit, sipas një ligjvënësi të Koresë së Jugut të informuar nga një zyrtar i agjencisë së spiunazhit në korrik.
Kim, i cili ishte mbipeshë dhe duhanpirës, ka qenë subjekt i spekulimeve shëndetësore për vite me radhë dhe paraqitjet e tij publike ndiqen nga afër për njohuri rreth regjimit autokratik dhe sekret në Phenian, veçanërisht pasi familja e tij ka një histori të sëmundjeve të zemrës.
Ekspertët janë shprehur se humbja e peshës së Kim ka më shumë të ngjarë të jetë rezultat i përpjekjeve për të përmirësuar shëndetin e tij, sesa një tregues i problemeve shëndetësore, duke marrë parasysh aktivitetin e tij të rregullt publik.
Por, pse pjesa tjetër e botës kujdeset për shëndetin e tij? Shëndeti i Kim ka rëndësi në Seul, Uashington, Tokio dhe kryeqytetet e tjera botërore sepse ai nuk ka emëruar publikisht një pasardhës i cili do të kontrollojë një program bërthamor që targeton Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij – nëse ai është i paaftë.
Koreja e Veriut, asnjëherë e hapur për punën e brendshme të udhëheqjes së saj, gjatë vitit të fundit është mbyllur edhe më fort për t’u mbrojtur kundër pandemisë së COVID.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.