MMSR, urdhër kontrolli mbi përdorimin e fondeve të ndihmës ekonomike. Ngrihet grupi i punës për verifikimet
Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Xhulieta Kërtusha ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për kontrollin e veprimtarisë së kryer nga Zyrat e Ndihmës Ekonomike në të gjithë vendin.
Nisur nga një numër i konsiderueshëm denoncimesh të ardhura nga qytetarë të ndryshëm për përdorimin e ndihmës ekonomike dhe pagesave për personat me aftësi të kufizuara si mjet presioni dhe favorizimi në kuadër të garantimit të mbështetjes për subjektet elektorale gjatë fushatën elektorale, Ministria e Mirëqenies Sociale ka marrë masat për të kontrolluar çdo zyrë dhe verifikuar çdo rast të denoncuar.
“Objekti i kontrollit do të jetë përputhshmëria me ligjin nr. 9355 datë 10.3.2005 “ për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” dhe me aktet e tjera nënligjore të kritereve mbi të cilat është shpërndarë ndihma ekonomike për ato kategori të cilat përfitojnë në bazë të ligjeve në fuqi. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë angazhohet të verifikojë dhe marrë masa konform kuadrit ligjor në fuqi për të gjithë ata punonjës të Zyrave të Ndihmës Ekonomike që shkelin ligjin dhe udhëzimet përkatëse”.
Përmes këtij urdhri Ministria e Mirëqenies Sociale ka edhe një ftesë për qytetarët për të denoncuar.
“Ftesë për denoncim. Ndërkohë bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave me nr. 473 datë 1.6.2017 “për marrjen e masave dhe monitorimin e e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ve në dispozicion numrin e telefonit +355697868366 dhe adresën e e-mail [email protected] . Ftohen të gjithë qytetarët që të denoncojnë rastet e përfshirjes të punonjësve të administratës në aktivitetet e fushatës zgjedhore. në duke dërguar foto dhe video në numrin e telefonit (WhatsApp, Viber) dhe adresën e postës elektronike”, thuhet në urdhrin e MMSR.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.