Mnuchin, bankieri që vuri bast për Trump
Mnuchin është një figurë jo pak e rëndësishme në administratën Trump, duke qenë se mban një pozicion kyç në ekonominë e SHBA, teksa vendi tranziton drejt “Trumponomics”. Ai është veterani i tretë nga Goldman Sachs që emërohet sekretar i thesarit, dhe në të shkuarën është hedhur në gjyq nga askush më pak se Donald Trump. Një aktor dhe producent në Hollywood, ja profili i Steven Mnuchin.
Steven Mnuchin lindi më 21 Dhjetor 1962 në qytetin e New York, në një familje hebreje. I biri i Robert Mnuchin, një prej ish-partnerëve të Goldman Sachs i ngarkuar me tregtinë e kapitalit, si dhe anëtar i komitetit të menaxhimit.
Gjyshi i tij i lindur në Rusi ishte një tregtar diamantesh, i cili më vonë banonte në Belgjikë e më pas emigroi drejt Amerikës.
Mnuchin mbaroi bachelorin më vitin 1985 dhe më pas u bë botues i Yale Daily News. Puna e tij e parë ishte si praktikant në bankën e investimeve Salomon Brothers në fillim të viteve 1980 ndërkohë që vazhdonte shkollën në Yale.
Gjate viteve të tij të shkollimit në universitetin Yale, ai jetonte në hotelin Taft në New Heaven, Conecticut dhe ndante të njëjtën dhomë me Biznesmenin Edward Lampert dhe avokatin Salem Chalabi.
Më vitin 1999, ai u martua me Heather Deforest Crosby e cila ishte gruaja e tij e dytë dhe së bashku kishin tre fëmijë.
Më pas, pasi bleu Indymac ai u zhvendos në Kaliforni, sepse selia e kompanisë ndodhej në Pasadena. Steven dhe Heather u divorcuan në 2014 dhe tashmë ai është i fejuar me aktoren Louise Linton.
Pasi Mnuchin u diplomua nga Yale në vitin 1985, ai filloi të punonte për Goldman Sachs, ku babai i tij kishte punuar që nga viti 1957. Mnuchin filloi në departamentin e hipotekës dhe u bë partner në Goldman në 1994. Deri në momentin që u largua nga kompania në vitin 2002, Mnuchin mbajti disa poste si partner i saj.
Mnuchin u largua nga Goldman Sachs në vitin 2002 pas plot 17 vitesh punë , me rreth 46 milionë dollarë stoqe të kompanisë dhe 12.6 milionë dollarë kompensim që ai mori në muajt para ikjes së tij.
Pasi u largua nga Goldman Sachs, Mnuchin punoi shkurtimisht si nënkryetar i fondit të mbrojtjes ESL Investments, i cili është në pronësi të shokut të tij, Edward Lampert.
Më pas ai themeloi kompaninë SFM Capital Management së bashku me financierin George Soros. Mnuchin themeloi një fond të quajtur Dune Capital Management, në vitin 2004 me dy ish-partnerët e Goldman. Pas themelimit të tij, Mnuchin shërbeu si drejtor ekzekutiv i kompanisë.
Firma investoi në të paktën dy projekte të Donald Trump, Hotel Trump International dhe Kulla në Honolulu si dhe binjaken e saj në Çikago.
Mnuchin në vitin 2004 krijoi RatPac-Dune Entertainment si një biznes dytësor, i cili ishte financuesi i një numri filmash të shquar, duke përfshirë ekskluzivitetin e filmit X-Men dhe Avatar.
Para se të bashkohej me fushatën presidenciale të Donald Trump në vitin 2016, Mnuchin ishte përfshirë në politikë vetëm duke dhuruar para për fushatat.
Kontributet e tij për kandidatët përfshinin 11 donacione që u dërguan republikanëve dhe 36 donacione që shkuan te demokratët. Fushata Al Gore, Hillary Clinton, John Kerry, Barack Obama dhe Mitt Romney ishin mes atyre të cilëve u dhuroi para.
Mnuchin tha se shumica e këtyre donacioneve ishin favore për miqtë. Midis qershorit dhe shtatorit të vitit 2016, Mnuchin dhuroi mbi 400,000 dollarë për Partinë Republikane, duke përfshirë donacionet për Paul Ryan dhe Donald Trump.
Mnuchin ishte një mbështetës i hershëm i Trump dhe mori pjesë në partinë e tij të fitimit pas fitores primare republikane të Nju Jorkut më 19 prill 2016, pasi ai kishte marrë një ftesë të minutës së fundit. Më 13 shkurt 2017, Mnuchin u konfirmua si Sekretar i Thesarit me një votim 53-47.
Viola Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.