Modeli “fermat me kontratë” – Peleshi: Pikat e grumbullimit të nxisin kooperimin ndërmjet fermerëve
Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, ka zhvilluar një vizitë në një prej kompanitë më të mëdha në vend e specializuar në inpute, shitje me shumicë dhe import/eksport të fruta-perimeve të freskëta. Kjo kompani kryen sot eksporte në Kosovë, Serbi, Bullgari, Mali i Zi, Lituani etj dhe mbulon pjesën më të madhe të tregut shqiptar.
Kompania ka ngritur një strukturë të re të prodhimit të fidanëve në Maminas, të qarkut të Durrësit. Investimi prej 1 milion dollarësh, me 9.000 m² dhe me një kapacitet prodhues prej 10 milionë fidanë në vit, është më i madhi në Shqipëri. Sipas ministrit kjo kompani është modeli që kërkon të përhapë dhe të promovojë sot qeveria shqiptare që është “ferma me kontratë”.
“Është një kompani, që dua ta veçoj sepse i shkon shumë afër modelit, që duam të përhapim dhe të mbështesim, që quhet “ferma me kontratë”. Pra, ideja është që pikat e grumbullimit të vendit tonë të jenë dhe aktorë shumë të rëndësishëm, për të nxitur atë që ne dimë në fakt, por më kollaj të thuhet, sesa të zbatohet, kooperimin ndërmjet fermerëve.”
Ministri ka përmendur gjithashtu dhe masën e parashikuar në Skemën Kombëtare të Mbështetjes Financiare për rimbursimin deri në 50 % të vlerës së fidanit, në qoftë se fermeri e blen fidanin tek grumbulluesi.
Lorenc Rabeta /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.