Mogherini: Bashkimi Europian gati për negociatat, radhën e keni ju
Zbatimi i reformës në drejtësi pritet ti hapë rrugë çeljes së negociatave të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërkohë që ky proces, pritet të përmirësojë edhe klimën për thithjen e investimeve të huaja. Gjatë një vizite që pati me krerët e politikës shqiptare, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Frederica Mogherini, e bëri të qartë se pa zbatimin e Vettingut, nuk ka negociata.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama garantoi angazhimin e qeverisë për zbatimin e reformës në drejtësi dhe miratimin e ligjeve të Vettingut.
Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian pati edhe një takim me Presidentin, Bujar Nishani. Kreu i Shtetit theksoi se reforma në drejtësi është e lidhur ngushtë edhe me reforma të tjera si ajo zgjedhore, dekriminalizimit të institucioneve dhe administratës publike.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së pati një takim edhe me kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Në këtë takim Meta u shpreh se “një reformë e bazuar në Kushtetutë e rrit besueshmërinë e procesit dhe e përshpejton zbatimin më cilësor të saj” dhe krijon një klime më të favorshme për investimet e huaja.
Pjesë e axhendës ishte edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha. Pas takimit, Basha tha se “vetëm me një qeveri teknike do t’i hapet rruga edhe zbatimit të reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”.
Para takimeve të Mogherinit me krerët e politikës shqiptare në Tiranë, Kuvendi i Shqipërisë njoftoi edhe mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme ditën e hënë, për krijimin dhe përbërjen e komisionit ad hoc për verifikimin e kandidatëve për institucionet e rivlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.