Mogherini, darkë me “Ballkanin”: “Përshpejtoni punën”. Rama: Do të bëjmë çdo gjë
Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, Federcia Mogherini sëbashku me Komisionerin për Çështjet e Sigurisë zhvilluan të Mërkurën në darkë një takim informale me 6 kryeministrat e Ballkanit Perëndimor.
Veç kryeministrit Edi Rama, të pranishëm në darkën informale me komisioneren ishin edhe Isa Musatafa, Dusko Markovic i Malit të Zi, Alexander Vuçiç, Kryeministri i projektuar i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Denis Zvisdic i Bosnje Hercegovinës.
Pas darkës ndërkohë, kryeministri Rama deklaroi se pas zgjedhjeve të 25 qershorit, qeveria dhe opozita e re do të jenë sëbashku në procesin e integrimit.
“Jo, nuk kemi diskutuar për çështje të brendshme, thjesht unë i kam thënë shefes së diplomacisë europiane se pas 25 qershorit duhet të jetë e përgatitur ajo dhe Komisioni Europian që qeveria dhe opozita e dalë nga zgjedhjet do kërkojë me një zë hapjen e negociatave në Bashkimin Europian. Pengesë për këtë tryezë ka qenë Vettingu, fillimi i zbatimit të Vettingut, që shpresoj mos të ndeshë me probleme të papritura, do jetë për ne një arsye shumë e fortë, që sëbashku qeveria dhe opozita, apo shumica dhe pakica e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, të kërkojnë hapjen e negociatave. Do ta bëjmë këtë me forcë, në kuptimin e një zëri të unifikuar dhe pastaj sigurisht që nuk i kemi të gjitha në dorë, sepse Europa në këto momente është ajo që është dhe nuk është më e mira qe do donim te ishte. Shpresojmë shumë që pas zgjedhjeve në Gjermani gjërat do të jenë shumë më të qarta e Shqipëria do të hapi negociatat në fund të këtij viti”, deklaroi Rama.
Komisioni europian ndërkohë bën me dije se, të 6 kryeministrat u angazhuan që të vazhdojnë punën për integrimin europian. Ndër të tjera, 6 kryeministrat u angazhuan për politika të fqinjësisë së mirë dhe thellim të mirëkuptimit rajonal.
Mogherini ndërkohë i bëri apel gjashtëshes që të përshpejtojnë punën për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për tu afruar më shumë me Bashkimin Europian.
Takimi vjen vetëm një muaj përpara samitit të Triestes, dhe u zhvillua për të përgatitur pikërisht këtë takim, që vjen në kuadër të procesit të Berlinit.
Kryeministri Rama ndërkohë, do të takohet sot në Bruksel me krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, mes të cilëve Donald Trump dhe Angela Merkel.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.