Moldavia mund të jetë objektivi i ardhshëm i Rusisë!
Në Moldavi është rritur shqetësimi se vendi mund të kthehet në objektivin e ardhshëm të agresionit rus. Sulmet e inskenuara në rajonin separatist prorus, Transilvani, janë shenja jo të mira, mendon Vitalie Ciobanu.
Kohët në të cilat Republika e Moldavisë ndihej relativisht e sigurt për shkak të rezistencës heroike të Ukrainës kundër agresionit të Putin, përfshirë këtu edhe fitoren ushtarake të mbytjes së anijes „Moskwa” të flotës ruse të Detit të Zi, kanë marrë fund. Gjendja në rajonin separatist të Transilvanisë nuk është nën ogur të mirë.
Ditën e hënë më 25 prill 2022, ditën e dytë të Pashkëve ortodokse, u sulmua me granata qendra e shërbimit sekret (KGB) në Tiraspol, kryeqytetin e rajonit të trazuar. Nuk ka pasur të lënduar, godina ishte bosh në momentin e sulmit. Ditën tjetër, më 26 prill pasuan sulme të tjera ushtarake në Transilvani: u shkatërruan dy antena komunikacioni në rajonin Grigoriopol dhe pati shpërthime në Parcani, një qytet 13 kilometra larg kufirit me Ukrainën dhe në një aerodrom në Tiraspol. Ngjarje të tjera të ngjashme mund të ndodhin ende.
Prania ruse në Transilvani
Një rast ekstrem, “Worst Case” do të ishte për shembull ndonjë aksion sabotazhi në depon ushtarake në Cobasna, që ndodhet nën kontrollin e trupave ruse të stacionuara ilegalisht. Atje janë magazinuar 20 000 tonë municione sovjetike, që u tërhoqën në fillim të viteve 1990-të nga ish-vendet komuniste të Europës qendrore dhe lindore. Leje hyrjeje në këtë magazinë nuk kanë as autoritetet moldave të kryeqytetit Kisinau, as ekspertët e huaj. Për gjendjen e municioneve nuk ka informacione.
Kërkesat e përsëritura të Kishinaut drejtuar Moskës për t’i larguar armët nga Cosbana dhe për t’i dërguar në Rusi, kanë mbetur pa përgjigje po ashtu si kërkesa e largimit nga Transilvania të 2000 ushtarëve rus.
Lajme të falsifikuara dhe përshkallëzime
Dëshmia e parë konkrete që tregon se Rusia e ka „në shënjestër” Republikën e Moldavisë që prej shpërthimit të luftës në Ukrainë, qe fjala e gjeneralit rus Rustam Minnekajew, zëvendëskomandant i sektorit qendror ushtarak. Ai foli hapur për „fazën e dytë të operacionit special”, i cili pritet të ndodhë për të marrë kontrollin në jugperëndim të Ukrainës, në Detin e Zi si dhe për krijimin e një korridori tokësor drejt Transilvanisë, ku “ka raste të shkeljes së të drejtave të rusëve etnike”. Një gënjeshtër paturp. Rajoni kontrollohet plotësisht nga Moska, kush do i shkelte atje të drejtat e popullsisë ruse?
Nën presion dhe të terrorizuar nuk janë ata që flasin rusisht, por banorët rumanisht-folës dhe institucionet e tyre, mes të cilave shkollat, që varen nga ministria e Arsimit, në Kisinau. Fshatarët moldavë torturohen nga terrori i milicëve separatistë, që zgjat prej 30 vjetësh.
Kurse Wiktor Wodolatsky, zëvendëskryetari i parë i komisionit të Dumas për çështjet e ish republikave të pavarura, GUS, integrimin euro aziatik dhe marrëdhëniet me patriotët, e tha edhe më troç qëllimin: „Nazizmit” të pushtet mbajtësve në Kisinau, që përkrahet nga „mbrojtësit rumunë” i „duhet dhënë fund” njësoj si skenarit të ngjashëm në Ukrainë. DW
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.