Monedha kineze juan po zhytet përsëri – A po shkojmë drejt një lufte monetare?
Monedha kineze është përsëri drejt rënies. Por lind pyetja se sa parashikohet të bjerë ajo.
Juani u dobësua me 1% kundrejt dollarit amerikan të enjten duke arritur kështu nivelin më të ulët brenda një viti. Ajo ka pësuar një rënie me rreth 8% gjatë tre muajve të fundit duke u gjendur në mes të një sulmi të tregtisë globale dhe shqetësimeve mbi një ngadalësim të zhvillimit ekonomik në Kinë.
Analistët shprehen se rënia e fundit e juanit erdhi pasi Banka Qendrore e Kinës tregoi se ishte e gatshme të pranonte një monedhë më të dobët.
Një monedhë në rënie, mund të ndihmojë industrinë e madhe të eksportit të Kinës të përballet me tarifat e reja të SHBA, pasi kjo i bën produktet kineze më të lira për blerësit që paguajnë në dollarë. Gjithashtu mund të nxisë që të zhvillohet një ekonomi që ka shënuar ritmin më të ngadaltë të rritjes në gati dy vjet me 6.7% – në tremujorin e dytë.
Ndryshe nga dollari ose euro, juani nuk luhatet lirisht kundrejt valutave të tjera. Në vend të kësaj, Banka Qendrore e Kinës ndihmon në udhëzimin e monedhës, duke vendosur një gamë tregtare të përditshme. Të enjten, Banka Qendrore i befasoi investitorët duke e udhëhequr juanin drejt niveleve më të ulëta.
Ken Cheung, një analist i monedhës në bankën investuese Mizuho, tha se masa nënkuptonte se Banka Qendrore do të toleronte një monedhë më të dobët me qëllim që të mbështeste zhvillimin ekonomik të vendit. Por kjo gjë do të ketë kosto.
Një monedhë më e dobët rrezikon rritjen e tensioneve tregtare me administratën Trump, e cila ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Kinën se e mban monedhën e saj qëllimisht më të ulët për të mbështetur industrinë e saj të madhe të eksportit.
Analistët thonë se nuk ka gjasa që Kina të përdorë juanin më të dobët, si një armë në luftën tregtare. Ata tregojnë për kaosin e shkaktuar në tregjet kineze dhe globale kur pati rënie të theksuara të monedhës në vitin 2015 dhe në fillim të vitit 2016.
Por tensionet tregtare po shkallëzohen gjithsesi. Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë goditur tarifat me miliarda dollarë të mallrave të njëri-tjetrit, dhe Presidenti Donald Trump po kërcënon se do të godasë përsëri eksportet kineze.
Ekzistojnë gjithashtu një sërë faktorësh të tjerë të cilët kanë ndikuar në rënien e monedhës kineze. Pyetja është se sa shumë juani do të bjerë. Qi Gao, një analist i monedhës në Scotia Bank, pret që monedha të dobësohet me 2% kundrejt dollarit..
Nëse juani bie shumë shpejt, ai mund të nxisë mungesën e zhvillimit ekonomik të Kinës, pasi investitorët humbasin besimin dhe do të kërkojnë ta shkëmbejnë atë për asete në dollarë dhe monedha të tjera. “Autoritetet kineze me siguri do të parandalojnë lëvizjen e monedhës në mënyrë të ndjeshme në çdo drejtim”, u shpreh Hannah Anderson, strateg i tregut global në JPMorgan Asset Management.
s.g/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.