Monedha kineze në Shqipëri – Zgjatet marrëveshja SWAP mes bankave qendrore
Banka Qendrore e Kinës deklaroi ditën e Premte se ka rinovuar marrëveshjen dypalëshe të këmbimit të valutës me Shqipërinë, që arrin vlerën e 2 miliardë juan, apo 34.2 miliardë lekë.
Banka Popullore e Kinës bëri të ditur në faqen në web se kjo marrëveshje e valutës do të lehtësojë tregtinë dhe investimet, si dhe do të promovojë zhvillimin ekonomik të të dy vendeve. Marrëveshja SWAP është e vlefshme për 3 vite të tjera dhe mund të zgjatet me pëlqimin e të dy vendeve.
Banka Qendrore e Kinës dhe Banka e Shqipërisë, nënshkruan marrëveshjen e parë SWAP për monedhat respektive më 12 Shtator të vitit 2013, në vlerën e 2 miliardë juan apo 35.8 miliardë lek, që skadoi në Shtator të vitit 2016.
Kjo marrëveshje kishte për qëllim aksesin e sistemit bankar shqiptar në financimin me monedhën kineze drejtpërsëdrejti nga Banka Qendrore, me ndërmjetësimin e Bankës së Shqipërisë. Bizneset që bëjnë tregti me Kinën mund të marrin direkt financime në monedhën kineze nga sistemi bankar shqiptar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.