Monitorimi IPARD II – 95 mln euro për investime bujqësore në zonat rurale
Rreth 95 milionë euro do të jenë investimet që do të bëhen në zonat rurale nga projekti IPARD.
Nga ky projekt 71 milionë euro financohen nga Komisioni Europian ndërsa 24 milionë euro jepen në formë granti nga qeveria shqiptare.
Në mbledhjen e dytë të monitorimit në Ministrinë e Bujqësisë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Komisionit Europian , drejtuesi i projektit IPARD si dhe anëtarë të Komitetit Monitorues.
Zëvendësministri i Bujqësisë Roni Telegrafi u shpreh se ky projekt ka si qëllim që të zhvillojë bujqësinë në zonat rurale dhe të rrisë konkurrueshmërinë e produkteve bujqësore dhe agro-ushqimore.
“Ky komitet konsiderohet një hap shumë i rëndësishëm për fillimin e zbatimit të programit, si një nga instrumentat kryesor të sektorit bujqësor dhe të zhvillimit rural drejt rrugës së Integrimit Evropian, nëpermjet rritjes së konkurueshmërisë së produkteve bujqësore, agro-ushqimore, si edhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale”, tha Telegrafi.
Programi IPARD II është aprovuar nga Komisioni Europian në muajin Korrik të vitit 2015. Marrëveshja Sektoriale për zbatimin e këtij Programi është ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar dhe zbatimi i tij do të fillojë në vitin 2017.
Masat mbështetëse të këtij programi konsistojnë në investimet në aktive fizike të fermave bujqësore; investimet në aktive fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit; diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit; asistenca teknike; shërbimet këshillimore; zbatimi i strategjive lokale të zhvillimit; zbatimi i strategjive lokale të zhvillimit etj.
Entelja Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.