Moody’s rrit notën e Greqisë – Në “B1”, e fundit nga tre agjencitë që rrit vlerësimin e vendit
Agjencia e vlerësimit të kreditit, Moody’s, lajmëroi gjatë javës se ka rritur notën e borxhit sovran të Greqisë me 2 gradë, në “B1”, nga vlerësimi prej “B3”që i kishte dhënë vendit 1 vit më parë.
Agjencia dha gjithashtu një perspektivë të qëndrueshme për borxhin grek. Moody’s shpjegoi në një deklaratë se kjo lëvizje reflekton fuqizimin e ekonomisë greke, gjë që lidhet me; zbatimin e reformave, performancës së mirë fiskale dhe përmirësimit të qëndrueshmërisë së borxhit publik. Ekonomistët presin që rritja e notës së borxhit do të ndihmojë Greqinë me rikthimin e huamarrjes drejt tregjeve financiare ndërkombëtarë, me shumë mundësi me një obligacion 10-vjeçar.
Interesat e borxhit grek në tregun dytësor kanë rënë në nivelin më të ulët në 1 dekadë, ndërkohë që titujt 10-vjeçarë qëndruan në 3.65% ditën e fundit tregtare. Agjencia tjetër e vlerësimit, Standard and Poor’s, rriti gjithashtu vlerësimin e kreditit të Greqisë në “B+”, në Janar të këtij viti. Fitch Ratings, bëri të njëjtën gjë në muajin Gusht të vitit të kaluar, duke e rritur në “BB-”, menjëherë pasi vendi përfundoi programin e ndihmave financiare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.