Moody`s zhvlerëson Britaninë – Goditja më e madhe për kryeministren Theresa May
Gjigandi i vlerësimeve, Moody`s i ka dhënë një goditje të rëndë Britanisë së Madhe dhe pozitave politike të kryeministres Theresa May. Agjencia ka zhvlerësuar borxhin britanik vetëm pak orë pas fjalimit të saj në Firence, ku kryefjala ishte shpresa.
Tashmë, nota e borxhit sovran të Mbretërisë zbret në Aa2, që është edhe nota e tretë më e lartë e investimeve.
Moody`s është agjencia e fundit ndër tre të mëdhatë që zhvlerëson Britaninë. Standard and Poor`s dhe Fitch e bënë diçka të tillë menjëherë pas referendumit të Qershorit 2016.
Vendimi i Moody`s vjen kështu vetëm pak orë pasi May u shpreh optimiste për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian duke premtuar se pas 2019, do të duhen edhe të paktën 2 vite tranzicion.
Moody`s ndërkohë ka një mendim tjetër. “Moodys nuk ka më besim se qeveria britanike do të jetë e aftë që të sigurojë një marrëveshje të njëjtë të tregtisë së lirë me Bashkimin Europian, çka shton ndjeshëm rrezikun për ekonominë e vendit”, thotë agjencia.
Financat publike priten më të dobëta, ashtu si edhe stabiliteti politik.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.