Moratoriumi i pyjeve – KLSH: Nuk sekuestrohen mjetet e trafikut të lëndëve drusore
Ndërsa janë shumë të pakta rastet e ndalimit të prerjes së jashtëligjshme të pyjeve, autoritet konfiskojnë vetëm lëndën drusore të kapur, duke lënë të lirë mjetet e transportit dhe drejtuesit përgjegjës për trafikimin e tyre. Konstatimi vjen përmes Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili referon të paktën 8 raste në Elbasan, kur është konfiskuar vetëm lënda drusore ndërkohë që mjetet janë lënë të lira.
Në raportin e auditimit të kryer këtë vit në Drejtorinë e Inspektimit të Pyjeve të këtij qarku, KLSH kërkon që Sektori i inspektimit të Policisë Pyjore të marrë menjëherë masa duke zbatuar procedurat e sekuestrove ligjore të mjeteve të përdorura për veprime të kundraligjshme.
Po ashtu KLSH konstaton se në këtë qark, për periudhën Janar 2015-Maj 2017 rezultojnë 55 subjekte dhe 38 Qendra Shëndetësore pa leje mjedisore. Sipas legjislacionit të fuqi subjektet duhet të dënohen me gjobë në vlerën nga 300,000 deri në 500,000 lekë.
KLSH vlerëson se vlera totale e gjobave që duhet të ishin arkëtuar nga këto subjekte është rreth 28 milionë lekë, e cila konsiderohet e ardhur e munguar në buxhetin e shtetit.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.