Morinë, bllokohen 42 krerë viça – AKU: Jashtë kërkesave ligjore
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, vijon kontrollet intensive në terren të çdo ngarkese me mallra ushqimore që hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet Pikave të Inspektimit Kufitar.
AKU tha se pikërisht nga këto kontrolle ditën e djeshme ka rezultuar se një ngarkesë me kafshë të gjalla të ardhura nga Serbia, 42 krerë viça për therje, në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë u kontrollua për përputhshmërinë me kërkesat ligjore për masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së Dermatozës Nodulare, siç përcaktohen ne Urdhërin Nr. 526, date 20.10.2016. Sipas njoftimit referuar parashikimeve te këtij urdhri dhe në bashkëpunimi me shërbimin veterinar rajonal, AKU vendosi mbajtjen e këtyre kafshëve të gjalla në regjim karantinor për 21 ditë përpara se te futen në proces therje.
Gjithashtu, është kontrolluar nga AKU një ngarkesë prej 24 ton kripë e ardhur nga Austria në Pikën e Inspektimit Kufitar, Hani i Hotit për tu përdorur për konsum human dhe industrinë ushqimore në Shqipëri. AKU inspektoi ngarkesën në fjalë për përputhshmërinë me kërkesat ligjore për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut (Ligji nr 9942 datë 26.06.2008, neni 6).
AKU tha se gjatë kontrollit të dokumentacionit përkatës si dhe pas kontrollit fizik të ngarkesës ka rezultuar se certifikata e analizës dhe etiketa e produktit kripë, kishte nivelin e jodit më të ulët se kufiri i lejuar, sipas përcaktimeve ligjore (nivel jo me të ulët se 40 mg jod dhe jo me të lartë se 60 mg jod për kg kripë). Sipas njoftimit, AKU vendosi masën administrative “Bllokim produkti” për sasinë prej 24 ton kripë dhe masën administrative “Kthim në vendin e origjinës” së produktit. Subjekti po kryen veprimet e duhura me degën e doganës Shkodër për kthimin e produktit në vendin e origjinës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.