“Mos i hapni shkollat pa studim”, CRCA: Të hartohet një plan kombëtar, të përfshihet mësimi në distancë
Nxënësit e sistemit parauniversitar do të kthehen në bankat shkollore më 14 Shtator, në kushte jo normale, kur vendi është në përballje të përditshme me pandeminë COVID-19, ndërkohë që Ministria e Arsimit nuk ka një udhëzim për masat që do të merren për mbrojtjen e shëndetit të tyre.
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri CRCA Albania, shpreh shqetësimin se Ministria e Arsimit nuk ka ndarë asnjë studim të detajuar se cili do të jetë ndikimi që do të ketë Covid-19 tek fëmijët, si mund të ndikojë hapja e shkollave në përhapjen akoma edhe më gjerë të virusit në popullatë dhe, cilat janë masat praktike dhe strategjike që ka ndërmarrë për të eleminuar ekspozimin e fëmijëve në një virus.
Ndërsa thekson se asnjë prej mësuesve të arsimit parauniversitar, nuk është trajnuar për t’u përballuar me Covid apo distanciminn social, një pjesë e mire e shkollave tona të arsimit parauniversitar publik janë thuajse jashtë çdo standarti të kujdesit minimal ndaj fëmijëve, përfshi edhe higjenën personale të tyre. Për këtë arsye, CRCA bën apel që të mos hapen shkollat publike të arsimit parauniversitar, pa një studim të mirëfilltë të ndikimit dhe përhapjes së covid tek fëmijët dhe për shkak të fëmijëve tek familjet në Shqipëri.
Ndërsa sugjeron se hapja e shkollave duhet bërë vetëm nëpërmjet një plani kombëtar të mirë-studiuar, të konsultuar me prindërit dhe publikun, që merr në konsideratë shëndetin e fëmijëve, shkallën e përhapjes së virusit në Shqipëri, mundësitë e sistemit pediatrik që të përballet me rritjen e mundësisë që Covid-19 do të prekë edhe fëmijët më të varfër dhe më të ekspozuar ndaj sëmundjeve aspiratore, diabetit, mungesës së ushqimit të shëndetshëm etj. Sipas kësaj organizate, ky plan duhet ndër të tjera të përfshijë edhe hapa të qartë të arsimimit në distancë të fëmijëve.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.