Moscovici për buxhetin italian – Kërkon shpjegime për shpenzimet, nuk synon debat me Italinë
Komisioni Europian nuk kërkon një krizë me Italinë për buxhetin, por pret shpjegime, sipas Komisionerit të çështjeve ekonomike, Pierre Moscovici.
Sipas burimeve të Qeverisë Italiane, Roma po pret që Komisioni Europian të marrë masën më të ashpër, duke i kërkuar vendin që të rishikojë buxhetin e vitit 2019, që përfshin rritjen e deficitit publik në 2.4% të PBB, nga 1.8% që pritet në vitin 2018.
“Komisioni Europian nuk kërkon një krizë mes Brukselit dhe Italisë. Unë mendoj se do të ketë dialog konstruktiv”, tha Moscovici.
Zëvendëskryeministri Luigi Di Maio, tha se qeveria italiane është gati që të bisedojë për objektivat e buxhetit me autoritetet e Bashkimit Europian.
Qeveria italiane pritet të dërgojë një letër ndaj Komisionit së shpejti. Moscovici tha se krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian do të zhvillojë një mbledhje ditën e Martë për të diskutuar mbi përgjigjen.
“Kur je një anëtar i Bashkimit Europian dhe monedhës së përbashkët, duhet të respektosh disa rregulla”, tha Moscovici duke ripërsëritur shqetësimet e Brukselit mbi planet e shpenzimeve të Italisë.
Moscovici, një socialist francez, tha se ka një ndryshim mes ideve politike të Salvinit, që ai nuk është dakord, dhe qeverisë italiane, që e respekton.
“Mund të luftojë zotin Salvini si një lider partiak. Mbi të gjitha ai është shoku i Marine Le Pen, mos ta harrojmë këtë”, tha Moscovici, duke përmendur lideren e të djathtës ekstreme në Francë. Megjithatë, ai shtoi se e respekton qeverinë italiane.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.