Mosdokumentimi i mallrave për transport – Tatimet: Ja rastet kur parashikohen penalitete
Drejtoria Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar subjektet të cilat ushtrojnë një apo më shumë aktivitete ekonomike të përdorin dokumentet tatimore në përputhje me ligjin përkatës, në transportin e mallrave. Subjektet duhet të veprojnë bazuar në dispozitat e ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Në rast të kundërt, tatimpaguesit rrezikojnë penalitetet sipas rasteve të mëposhtme:
- Tatimpaguesit e Tatimit të Thjeshtuar të Fitimit, që nuk është i regjistruar në TVSH, menjëherë, në momentin e konstatimit i ndryshohet përgjegjësia tatimore, duke kaluar si tatimpagues i TVSH-së.
- Tatimpaguesi i regjistruar në TVSH detyrohet të dokumentojë mallin, duke lëshuar faturë tatimore. Po ashtu i kryhet rivlerësim i shitjeve në të njëjtën vlerë me vlerën e tregut të mallit të pa dokumentuar.
Përsa i përket kundërvajtjeve administrative në përdorimin e pajisjeve fiskale, për lëshimin e kuponëve fiskalë dhe të biletave, DPT tha se tatimpaguesit janë të detyruar që, përveç rasteve kur ligji përjashtohen nga ligji, të përdorin pajisjet fiskale për lëshimin e kuponëve fiskalë dhe të biletave. Kundravajtjet administrative lidhur me përdorimin e pajisjeve fiskale dënohen bazuar në dispozitat në fuqi të ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për proçedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Tatimpaguesi, person juridik ose fizik, tregtar, dënohet në rast se nuk instalon pajisjen fiskale ose sisteme të monitorimit të qarkullimit. Herën e parë të konstatimit të mos instalimit të pajisjes fiskale ose sistemeve të monitorimit të qarkullimit, me gjobë në masën 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Nëse konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e instalojë pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë ose sistemin e monitorimit të qarkullimit, merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 15 ditë kalendarike. Nëse tatimpaguesi lëshon një kupon tatimor/dëftesë tatimore /biletë, me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore ose ku ka shënuar një vlerë të ndryshme nga vlera e furnizimit ose e çmimit të afishuar, për kuponin tatimor/dëftesën tatimore/biletën me vlerë të parashtypur, me gjobë, në masën 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Gjithashtu sipas njoftimit, tatimpaguesi ka detyrimin që të afishojë në një vend të dukshëm një njoftim që tregon detyrimin e blerësit të mallrave apo të përfituesit të shërbimit për të kërkuar kupon tatimor, si dhe të drejtën e blerësit për të mos paguar për mallrat dhe shërbimet e blera në zbatim të pikës 3, të nenit 46, të këtij ligji. Tatimpaguesi, gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike duhet të mirëmbajë në kushte pune pajisjet fiskale ose sistemet e monitorimit të qarkullimit dhe në raste të defekteve të ndodhura në pajisjen fiskale ose sistemin e monitorimit të qarkullimit, duhet të njoftojë organet tatimore dhe ka detyrimin të plotësojë në rregull librezën fiskale të defekteve.
DPT tha se moslëshimi i biletave të shërbimit me vlerë të parashtypur, të prodhuara nga institucionet e autorizuara, të përdorura në sektorë të ndryshëm, dënohet me gjobë, në masën 10,000 (dhjetë mijë) lekë për çdo biletë.
Në rastet kur një tatimpaguesi i është bllokuar veprimtaria nga Administrata Tatimore dhe ai prish shenjat dalluese të vendosura për bllokim të veprimtarisë, atij i konfiskohet e gjithë sasia e mallit. Për këtë qëllim, grupi i kontrolli pasi bën inventarizimin e mallrave dhe evidentimin e tyre në procesverbalin përkatës, mban gjithashtu aktin për konfiskimin e mallrave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.