Mosrinovimi i “rimbursimeve” – Për 2017 importohen vetëm 621 mln lekë pajisje ortopedike
Rreth 1200 pacientë në të gjithë vendin për vitin 2017 duhet të përfitonin nga rimbursimi i protezave ortopedike. Buxheti i planifikuar për 9 spitalet publike në vend ishte 1.8 miliardë lekë. Por numri i pacientëve që kanë nevojë për këto proteza është shumë herë më i lartë referuar traumave dhe aksidenteve të ndryshme.
Vetëm një protezë kushton 3 milionë lekë për pacientët që nuk përfshihen në kategorinë përftuese të rimnbursimit. Rimbursimi i disa pajisjeve mjekësore u bë pjesë e listës së rimbursueshme që në 2016, por duke qenë se në vitin që lamë pas nuk patëm një listë të re të rimbursimit nuk kemi edhe rritje të numrit të përfituesve për pajisjet ortopedike dhe jo vetëm. Mosmiratimi i listës i kushtoi buxheti të shtetit një dëm financiar në vlerën 730 milionë lekë .
Kjo, për faktin se lista e vitit 2016 ishte miratuar në bazë të një kursi më të lartë të këmbimit të euros. Ndërkohë, në dy vitet e fundit, kursi i këmbimit të monedhës euro është ulur dhe vetëm nga rënia e euros, shteti u paguan më shumë kompanive farmaceutike, rreth 230 milionë lekë. Një dëm tjetër që i shkaktohet buxhetit të shtetit ka të bëjë me uljen e çmimit të barnave për 2017, por që nuk u reflektua në listën e rimbursimit duke bërë që shteti ynë të paguaj rreth 500 milionë lekë më shumë për rimbursime.
Para këto që mund të përdoreshin për të shtuar sasinë e barnave apo pajisjeve që ofrohen për pacientët shqiptarë me rimbursim. Referuar pajisjeve ortopedike për vitin 2017 janë importuar një sasi e konsiderueshme me vlerë mbi 621 milionë lekë. Pajisje këto që janë përdoruar në spitalet ku ofrohen ndërhyrjet për vendosjen e protezave ortopedike si në Tiranë, Elbasan , Fier, Durrës, Vlorë, Shkodër, Lezhë , Gjirokastër dhe Sarandë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.