Moti i keq, Europa në gjendje emergjence
Stuhitë e rënda kanë shkaktuar përmbytje dhe shkatërrime të konsiderueshme në shumë pjesë të Europës. Në Francën lindore, në jug të qytetit të Lyon-it, breshëri i dhunshëm me madhësinë e topave të tenisit, goditën dhe thyen xhamat e makinave të parkuara jashtë. Ndërkohë që rrugët u përmbytën dhe shtëpitë u dëmtuan.
Një turist gjerman humbi jetën si pasojë e rënies së një peme në qytetin francez Taninges. Ministri francez i bujqësisë, Didier Guillaume, njoftoi të dielën se rajonet e prekura do të shpalleshin një gjendje të fatkeqësisë natyrore.
Në Zvicër, një grua vdiq kur varka e saj e ekskursionit u përmbys nga një stuhi në liqenin e Gjenevës. Stuhia shkaktoi dëme të rënda në qytet. Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, reshjet e mëdha shkaktuan përmbytje në shumë zona të Lincolnshire. Agjencia e Mjedisit deklaroi se situata është “e pashembullt”. Polonia gjithashtu pësoi katastrofa të rënda nga stuhitë. Pemët janë çrrënjosur dhe mijëra familje mbetën pa energji elektrike të dielën në mëngjes.
Burimi: Euronews
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.