Moti i keq/ OSSH stabilizon situatën e furnizimit me energji. Mobilizon 2200 punonjës në të gjithë vendin!
OSSH bën me dije se si pasojë e ndryshimeve drastike të motit, me reshje shiu e bore dhe temperatura të ulëta, rrjeti i shpërndarjes në disa zona të vendit u afektua duke shkaktuar probleme me furnizimin me energji elektrike për abonentët.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, në vijim të planit të masave për organizimin e punës në 11 drejtoritë rajonale, ka angazhuar në terren afro 2200 punonjës të brigadave të avarive, me qëllim eliminimin në kohë sa më të shpejtë të defekteve në fiderat dhe linjat e tensionit të mesëm.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare puna në terren u vështirësua dhe nga vërshimi I ujërave të lumenjve që në disa zona dolën nga shtrati siç ishte lumi Vjosa dhe nisur nga kjo situatë, OSSH ishte e detyruar të stakonte për masë sigurie disa fidera duke lënë pa tension disa kabina dhe nënstacione, siç ishte NST Grapsh dhe linja 35kV Ballsh-Poçem për efekt sigurie.
Sipas njoftimit: “Në ndihmë të grupeve të tensionit të lartë të OSSH u afruan dhe grupet e avarisë së OST të cilat së bashku mundësuan riparimin e shpejtë të defektit dhe rikthimin e energjisë në pjesën më të madhe të abonentëve. Defektet më të mëdha u shfaqën në zonat malore të Korçës, Burrelit dhe Dibrës. Në këto zona vijon puna për riparimin e defekteve megjithëse terreni malor dhe ngricat vështirësojnë punën e grupeve të OSSH. Në zonën e Korçës, defektet në rrjetin e OSSH u shkaktuan dhe nga palët e treta siç janë dy HEC-et Gjoka dhe Nica që operojnë në zonën e Korçës.”
OSSH informon se përcjellat e tyre të djegur ranë mbi fiderat e OSSH duke lënë pa energji prej disa ditësh zonat Velçan, Strelcë, Moglicë, Lozhan, Senisht dhe Tresovë dhe në zonën e Dibrës, vijon puna për vendosjen e shtyllave të rrëzuara në fideirn Sllovë, përgjatë aksit Ceren dhe Vosije.
Sipas informacionit të publikuar në Gjirokastër po vijon puna për rikthimin e linjës 35 kv Gjirokastra 2-Grapsh në punë dhe normalizimin e situatës me furnizimin me energji elektrike për zonat Zagori, Grapsh, Dropull i Poshtëm dhe Dropulli i Sipërm dhe në zonën e Shkodrës është vendosur në punë fideri i Kelmendit dhe një pjesë e kabinave në segmentin Lepushë-Budac dhe është rikthyer energjia në zonat që furnizohen me energji nga ky fider.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.