Moti, probleme në rrugë – Qendro: Akset e kalueshëm, drejtuesit të zbatojnë rregullat
Reshjet e 24 orëve të fundit kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore. Për shkak të borës, më problematike situata është paraqitur në aksin nacional Pogradec-Qafë Thanë , ndërsa probleme janë shfaqur edhe në disa akse rurale, në Qarkun e Shkodrës, Dibrës dhe Kukësit.
Sipas kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, kompanitë e mirëmbajtjes janë duke punuar, ndërkohë që të gjithë akset janë të kalueshëm.
“Nuk kemi momentalisht asnjë aks kombëtar të bllokuar në të gjithë Shqipërinë. Kemi një problematikë vetëm në zonën e Stërblevës, për të cilën janë duke u marrë masat sepse kemi një trashësi të madhe bore. Deri në momentin që flasim nuk ka një rrugë që kalohet me zinxhir, janë të gjitha rrugët të kalueshme”, tha Qendro.
Me qëllim evitimin e aksidenteve, Qendro u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të tregohen të vëmendshëm dhe të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
“Për të gjithë përdoruesit e rrugës, për drejtuesit e automjeteve, duhet të kenë shumë kujdes, sidomos në orët e para të mëngjesit. Duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe porositë e dhëna nga efektivët e policisë rrugorë të cilët janë të gjithë në terren. Në atë orë të ditës ose të natës që kërkohet pajisja e mjeteve me zinxhirë, duhet që patjetër drejtuesit e mjeteve ta zbatojnë porosinë”, u shpreh kreu i ARRSH.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes edhe në orët në vijim pritet të ketë reshje shiu, ndërkohë që në zonat malore në lartësitë mbi 400-500 metër do të ketë reshje dëbore.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.