Mpaket popullsia – INSTAT: Shtesa natyrore për 3-mujorin e dytë, 5.5% më pak se vjet
Shtesa natyrore e popullsisë, për tremujorin e dytë 2019 ra me 5,5 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2018, ndonëse numri i lindjeve tejkaloi me 1.585 numrin e vdekjeve. Instituti i Statistikave ka publikuar Treguesit Demografikë për 3-mujorin e dytë të vitit, duke evidentuar dhe rënien e numrit të lindjeve me 5.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas INSTAT, numri i lindjeve, për tremujorin e dytë të këtij viti është 6.362, ndërsa ai i vdekjeve, për këtë periudhë ishte 4.777, ose 5,7 % më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Sipas INSTAT për periudhën prill-qershor, shtesa natyrore e popullsisë shënon vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 969 numrin e vdekjeve, ndërsa ky tregues regjistron vlerë negative në katër qarqe e më konkretisht, Gjirokastra, Vlora, Berati dhe Korça, që shënon dhe vlerën më të ulët, ku numri i vdekjeve tejkalon me 93 numrin e lindjeve.
Të njëjtat të dhëna tregojnë se 9 nga 12 qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e dytë 2019, krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Rëniet më të mëdha të lindjeve, gjatë kësaj periudhe e shënojnë qarqet Shkodër me 17,7 % dhe Fier me 15,0 %. Ndërkohë që, qarqet, të cilët kanë pësuar rritje të numrit të lindjeve janë Kukësi me 6,3 %, Elbasani me 5,7 % dhe Korça me 4,8 %. Që nga fillimi i këtij viti, qeveria ka nisur shpërndarjen e bonusit të bebes, si një mekanizëm për rritjen e numrit të lindjeve, por shifrat tregojnë se ai nuk ka qenë i mjaftueshëm për stimulimin e tyre.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.