Mungesa e investimeve publike, mosrealizimi në masën 3.3 miliardë lekë
Mosrealizimi i investimeve publike gjatë viteve të fundit ka qenë një ndër problematikat e manaxhimit të buxhetit të shtetit.
Referuar të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, shpenzimet kapitale, apo siç njihen në gjuhën e përditshme si investimet publike, nuk janë realizuar në masën e pritshme për 11-mujorin.
Nga 46.2 miliardë lekë që ishte planifikimi për këtë periudhë, janë realizuar vetëm 42.9 miliardë lekë. Nisur nga ky mosrealizim i shpenzimeve kapitale, i cili ka vazhduar gjatë gjithë muajve të vitit të kaluar, bëri që qeveria të ndërhynte dy herë në buxhetin e shtetit për të rialokuar fondet.
Ndryshimi i parë u bë në muajin korrik, ndërsa ndryshimi i dytë ne mes të muajit dhjetor, duhet bërë që mjaft fonde të kalojnë nga ato projekte që kishin ecuri të vonuar në punime, tek ato që kishin përparuar.
Por kjo vonesë në realizimin e investimeve publike nuk është vetëm problematike për menaxhimin e fondeve buxhetore, por është është mjaft e ndjeshme për qytetarët, të cilëve iu mungojnë shërbime të ndryshme, si dhe vetë ekonominë e vendit. Investimet publike zënë një rol jo të vogël në ekonominë e vendit, pasi llogaritet të japin mbi 4.8 % të PBB.
Nga Violeta Shqalsi
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.