Mungesa e pjesëve – BMW ndal prodhimin e disa modeleve
Prodhuesi gjerman i automjeteve BMW ka komunikuar se mungesa e pjesëve të grupit të timonit, të cilat duhet të furnizoheshin nga kompania Robert Bosch, ka ngadalësuar prodhimin e disa prej modeleve të saj kompakt, ndërsa prodhimi në Afrikën e Jugut dhe Kinë është ndalur plotësisht.
“Furnitori ynë Bosch nuk është aktualisht në gjendje të na mundësojë mjaftueshëm grupe timoni për BMW Seria 1, 2, 3 dhe 4”, tha BMW në një deklaratë për shtyp ditën e Hënë.
Kompania zgjati planet për ndërprerjen e punës në fabrikat në Tiexi, Kinë dhe Rosslyn, Afrikë e Jugut, ndërsa u shpreh se Bosch do të paguajë për vonesat.
“Ne po shfrytëzojmë fleksibilitetin e proeceseve tona për të reduktuar dëmin ekonomik. Ne presim që Bosch, si furnizuesi përgjegjës, do të kompensojë për dëmet”, thotë BMW.
Ndërsa vetë Bosch ka fajësuar për problemin një nënfurnitor italian.
“Një nga përbërësit kryesorë të sistemit tonë të drejtimit vjen nga një nënfurnitor në Itali. Për momentin po hasim probleme shpërndarjeje me këtë furnitor”, thotë Bosch.
Të tre këto kompani po punojnë tashmë për zgjidhjen e këtij ngërçi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.