Mungesa e ujit të pijshëm, problem edhe në Elbasan – Qytetarët kërkojnë më shumë investime
Takimet me banorët në qarkun e Elbasanit kanë sjellë në vëmendjen e qeverisë edhe problematikat kryesore ku duhet të fokusohen për të adresuar shqetësimet e tyre.
Në 24 takimet publike të zhvilluara, mungesa e ujit të pijshëm ka qenë problematike mbizotëruese, si për qytetarët nga Bashkitë kryesore, ashtu edhe për ata nga njësitë administrative.
Ndërkohë banorët e zonave rurale kanë shprehur edhe nevojën për investime në sistemet e ujitjes dhe vaditjes së tokave, si edhe për investime në rrugë rurale e dytësore. Këto probleme janë diskutuar përkatësisht 67 dhe 65 herë në takimet e zhvilluara, ndërsa 58 herë është kërkuar zhvillimi në tërësi i bujqësisë e blegtorisë.
Papunësia është problematika që është më e shtrirë në këtë qark, ku 69 banorë janë shprehur se kërkojnë ndihmën e shtetit për të krijuar vende të reja pune, sidomos për të rinjtë.
Sipas shqetësimeve të ngritura nga banorët e Elbasanit, zona ka nevojë edhe për përmirësimin e sistemit arsimor, ku propozohen investime në shkolla të reja, krijimi i laboratorëve brenda këtyre institucioneve, apo shtimi i numrit të bursave për nxënësit e dalluar.
Gjithashtu shqetësuese për qarkun e Elbasanit janë sipas raporti edhe niveli i ulët i ndihmës ekonomike, problemet me pronësinë mbi tokën, amortizimi i rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike, si edhe nevoja për investim në qendrat shëndetësore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.