Mustafa në Bruksel për liberalizimin e vizave – Avramopoulos: Votoni demarkacionin
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa është takuar sot me Komisionerin europian për Migracionin, Dimitris Avramopoulos në Bruksel për të diskutuar hapat të cilët duhet të përmbushen për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Komisioneri Avramopoulos vlerësoi arritjen e progresit që qeveria e Kosovës ka bërë deri më tani, veçanërisht në luftës kundër krimit të organizuar dhe rasteve të korrupsionit. Të dyja palët ranë dakord se ende shumë punë duhet bërë në këtë aspekt, sidomos në rritjen e numrit të dënimeve.
Megjithatë, një nga hapat kryesore që duhen përmbushur është edhe marrëveshja e demarkacionit të kufijve me Malin e Zi, për të cilën Komisioneri shtyu Kryeministrin, qeverinë e tij dhe partitë politike për ta votuar sa më shpejt në parlament.
Avramopoulos, i cili vjen nga radhët e partisë konservatore greke “Demokracia e Re”, shprehu mbështetjen e tij për Kosovën në këto hapa të fundit drejt liberalizimit. Komisioneri u ofrua të vizitonte Kosovën para verës.
Kryeministri Mustafa ka deklaruar më herët se heqja e vizave për qytetarët e Kosovës do të bëhet në muajin Gusht.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.