Muzika “pushton” spitalin Covid 2 – Ansambli i këngëve dhe valleve popullore, spektakël për mjekët dhe pacientët
Teksa numri i pacientëve të shtruar në spitale si pasojë e infektimit nga virusi Sars Cov 2 dhe mjekët prej 9 muajsh ofrojnë shërbim në spitalet COVID, muzika duket se është kthyer në “oksigjen” për të qetësuar sadopak personelin shëndetësor dhe të sëmurët. Mëngjesin e së mërkurës, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore u transferua në oborrin e spitalit “Shefqet Ndroqi”, apo siç njihet ndryshe COVID2, duke dhënë një spektakël disa minutash me këngë dhe valle.
Kanë qenë të shumtë mjekët, infermierët dhe pacientët, që kanë shijuar performancën e ansamblit, duke e shoqëruar edhe me duartrokitje.
Surpriza e ansamblit të këngëve dhe valleve popullore vjen në një kohë, kur përveç rritjes së shtrimeve në spital, ka një presion të shtuar ndaj bluzave të bardha, edhe në lidhje me deklarimin e shkaqeve reale të vdekjeve në spitalet COVID. Një surprizë e ngjashme u realizua gjatë muajve të karantinës, ku qytetarë të shumtë në kryeqytet dolën në dritare për duartrokitur punën e bluzave të bardha dhe për t’ju dhënë kurajo në këtë sfidë të krijuar si pasojë e pandemisë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.