Na ishte njëherë stërlina! Rënia e paundit ka nxitur orekset e kompanive të mëdha drejt Britanisë së Madhe
Nga Alessandro Fantechi
Valuta angleze është në rënie të lirë. Kjo ka bërë që shumë grupe të huaja të bëjnë blerje të mëdha. Pas shitjes së pab-eve dhe kartonave Pepa Pig, edhe Bursa e Hong Kongut po synon City-n.
Monedha angleze ka rënie të theksuar ndaj euros. Nga niveli i lartë i vitit 2015, kur duheshin 1.5 euro për të blerë një paund, tani ajo pothuajse ka rënë në 1.1 euro.
Mëngjes shtatori në Londër. Moti është ende i butë. Edhe pse pushimet kanë mbaruar dhe të gjithë i janë rikthyer punës, Rruga Oxford është plot me turistë. Dhe pamja është vazhdimisht e njëjtë: njerëz që ecin me duart e mbushura plot çanta. Asnjëherë më parë Londra nuk është pushtuar kështu nga vizitorët.
Poundi i dobët e ka nxitur këtë, sidomos për ata që vijnë me portofolin me euro. Ndër të parët që bën shëtitje, Primark: zinxhiri irlandez i veshjeve me kosto të ulët, një lloj Zara britanike, njoftoi rekorde rekord falë bumit të turistëve. Por blerja falë euros së fortë është shumë më shumë se sa folklor, apo mundësi për tituj të goditur në tabloide.
Fenomene të tjera shumë më të thella dhe strategjike janë në zhvillim e sipër: poundi i zhvlerësuar ka hapur një shteg të madh. Vlera e lartë e paundit, në të vërtetë, ka qenë një mburojë për mbrojtjen e vendit nga agresioni i huaj.
Tani Mbretëria e Bashkuar është nën rrethim. Kina madje synon kontroll mbi Mbretërinë: Bursa e Hong Kongut, dikur koloni britanike, ka shpallur planin për të blerë me 30 miliardë stërlina Bursën e Londrës, një nga qendrat më të fuqishme të pushtetit në vend dhe kështjella financiare e Evropës, zemra e kapitalizmit perëndimor.
Tërmeti mund të ndjehet edhe në Itali: Bursa e Londrës është gjithashtu pronare e Bursës Italiane e cila, megjithëse e vogël, ka ndikim jetësor në vend: platforma MTS, është sistemi i shkëmbimit dhe shitjes së bonove qeveritare, d.m.th. borxhit publik të vendit. Dhe kush e mban borxhin e një shteti, e kontrollon atë komb.
Duhet të rikthehemi katër vjet më parë për të kuptuar se çfarë po ndodh. Në verën e 2015 monedha e rrumbullakët metalike, me pamjen ikonike të Elizabetës së II, ishte mbi të gjitha: duheshin 1.5 euro për të blerë një paund, vlera më e lartë e monedhës në raport me njësinë e Kontinentit të Vjetër.
Londra ishte një qytet i shtrenjtë dhe i pakapshëm për turistët; blerjet ishin një luks i ndaluar ose i rezervuar vetëm për të pasurit e vërtetë. Por mbi të gjitha, Anglia ishte një treg jashtë fokusit për investitorët e huaj: paundi ishte një digë natyrore. Nuk është rastësi që Anglia u kujdes shumë që të mos përfshihet në monedhën e përbashkët: ndërkohë që të gjitha vendet e tjera hoqën dorë nga sovraniteti monetar, britanikët e mbanin paundin e tyre, shumë më të fortë.
Të paktën deri tre vjet më parë. Pas referendumit të vitit 2016, i cili sanksionoi daljen nga BE, paundi nisi të humbasë terren, deri në kolapsin e fillimit të verës me ardhjen e Boris Johnsonit i cili premtoi një Brexit të ashpër, skenar që frikësoi tregun e aksioneve dhe financiar; dhe për këtë arsye kjo u reflektua edhe në në kursin e këmbimit.
Por investitorët e huaj nuk u trembën, përkundrazi, duke përfituar nga mini-paundi, ata nisën sulmin për kompanitë e një vendi që më parë ishte i pakapshëm.
Në London City rreziku i pushtimit është i qartë për të gjithë. Sinjalin e dha Cyrus Kapadia, kreu i ri i bankës amerikane të investimeve Lazard: Britania e Madhe do të jetë më e prekshme nga të huajt.
Dhe ai dinte diçka për këtë, pasi ndihmoi megafondin amerikan Blackstone të blejë Merlin entertainment, pronar i muzeut historik të figurave prej dyll Madame Tussauds, dhe i të famshmit LondonEy. “Sot vendi është një mundësi tërheqëse,” i tha ai Financial Times. U tha u bë. Gjigandi tjetër amerikan, Hasbro, numri dy në botën e lojrave (përfshirë atë historike Monopoly) bleu kartonat Peppa Pig. Kina ka zgjatur duart drejt pub-eve angleze.
Muaj më parë, me një ofertë prej 4.6 miliardë paund, Victor Li, djali i manjatit Li Ka Shing, njeriu më i pasur në Hong Kong dhe pronar i 3 kompanive të mëdha telefonike në Evropë, mes tyre edhe Wind në Itali, njoftoi blerjen e Greene King, i cili me 3.200 lokale në menaxhim, është rrjeti më i madh i pub-eve në Mbretërinë e Bashkuar.
Është e vështirë të bësh dallimin mes propagandës dhe rreziqeve reale, sepse Anglia gjithmonë ka qenë e hapur për kapitalet e huaja dhe të njëjtën kohë bota e financave që sot qahet për pushtim, është e njëjta që deri dje ka mirëpritur hyrjen e parave të huaja. Por kapitali i huaj nënkupton edhe pronarë të huaj.
Gota mund të jetë gjithmonë gjysëm e mbushur ose gjysëm e zbrazët. Padyshim që në Angli pushtimi nga kapitalet e huaja, të paktën teorikisht dhe brenda normave të caktuara, nuk është i frikshëm, madje është i kërkuar. Londra po shikon nga Riadi dhe Pekini për të zëvendësuar tregjet pas largimit nga BE.
Por krijimi i një Perandorie 2.0, ose i një Komunuelthi të ri, rrezikon të dalë jashtë kontrollit. Londra është nën rrethim, e shtypur mes Brexit-it dhe pamjeve plot me të huaj. Anglia tani është një vend i bllokuar, s’ka parlament, i bllokuar deri në mes të tetorit nga Johnson, po në të njëtën kohë nuk ka më as të njëjtin kryeministër, të mposhtur nga opozita në Westminster.
Në këtë boshllëk pushteti, kur Londra është në prag të një gremie të panjohur të quajtur Hard Brexit, të huajt kanë filluar sulmin në qendrat nevralgjike britanike.
Një vend i hapur rrezikon të përfundojë i gëlltitur nga megakapitali global: rreziku është bërë i qartë edhe për vetë Johnsonin i cili, megjithëse doli i goditur nga beteja në parlament, menjëherë ngriti barrikadat kundër ish-kolonisë: Bursa e Londrës nuk mund të preket.
Adam Smith ishte britanik, tregu i lirë duhet të veprojë, por edhe interesi kombëtar duhet mbrojtur me shpirt nëpër dhëmbë. Me pak fjalë, Kina është e mirëseardhur sa kohë që kërkon të blejë pijetoret. Por nëse dëshiron të hyjë në “pultin e komandimit”: JOOO faleminderit!
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.