Nafta bie ndjeshëm – Ndikon rritja e rezervave të naftës në SHBA
Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm në sesionin e sotëm, për shkak pritshmërive për rritjen e rezervave në SHBA. Por, komentet e qeverisë ruse për një bashkëpunim afatgjatë me OPEC mbi koordinimin e uljes së prodhimit kanë kufizuar humbjet.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 62.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 67.1 dollarë për fuçi.
Analistët parashikojnë se, rezervat e naftës do të regjistrojnë rritje për të dytën javë me radhë, ndërsa rezervat e produkteve të rafinuara parashikohet të regjistrojnë rënie.
Gjithashtu, investitorët po presin edhe të dhënat mbi prodhimin në SHBA, që pritet të publikohen të enjten.
Ndërkohë, ministri rus i energjisë, Alexander Novak, deklaroi se bashkëpunimi mes Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe vendeve të tjera që nuk janë pjesë e kësaj organizate, mund të vazhdojë edhe përtej marrëveshjes aktuale për uljen e prodhimit, e cila skadon në fund të këtij viti.
Për shkak të këtij bashkëpunimi, nafta është rimëkëmbur ndjeshëm nga niveli më i ulët në shumë vite, prej 27 dollarë për fuçi, të regjistruar në janar të vitit 2016.
Përsa i përket të dhënave të tjera, prodhimi në Rusi arriti në 10.97 milionë fuçi në ditë, gjatë marsit. Kjo bëri që disa investitorë të shqetësohen mbi efektshmërinë e bashkëpunimit me OPEC.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.