Nafta bie ndjeshëm – OPEC dhe Rusia pritet të rrisin prodhimin
Çmimet e naftës po qendrojnë në rënie të konsiderueshme në sesionin e sotëm, pasi vendet anëtare të OPEC janë pranë arritjes së marrëveshjes për rritjen e prodhimit. Nafta Brent e Londrës ka humbur rreth 1.1 dollarë dhe po tregtohet pranë 73.6 dollarëve për fuçi. Nafta Bruto amerikane ka rënë me rreth 1 dollarë dhe po tregtohet pranë 64.7 dollarëve. Nafta Brent e Londrës preku nivelin më të lartë në 3 vite e gjysëm, gjatë muajit maj, por që nga ajo kohë ka rënë ndjeshëm, pasi Arabia Saudite, që është de facto lider i OPEC, ka sinjalizuar se do të rrisë prodhimin për të stabilizuar tregun.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës do të zhvillojë takimin e radhës të premten në Vjenë, ku gjerësisht pritet një rritje e prodhimit. Ky vendim mbështetet edhe nga Rusia, që nuk është pjesë e organizatës. Irani pritet të kundërshtojë çdo ide për rritjen e prodhimit, por shumica e vendeve mbështesin të kundërtën. Analistët mendojnë se, OPEC dhe Rusia mund të vendosin një rritje të prodhimit midis 500 mijë dhe 1 milionë fuçi në ditë, për të kompensuar rënien e prodhimit nga Venezuela.
Në fokus të investitorëve është edhe lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve kryesorë tregtarë, në mënyrë të veçantë me Kinën dhe Bashkimin Europian. Uashingtoni dhe Pekini kanë kërcënuar me tarifa ndëshkuese për eksportet e secilit vend, duke përfshirë edhe naftën amerikane.
Të enjten, Kina anuloi një udhëtim në Virxhinia të ekzekutivëve të kompanisë China Energy Investment, ku do të diskutohej një investim prej 83.7 miliardë dollarë dhe e quajti sjelljen e Uashingtonit si kapriçoze. Situata është përshkallëzuar edhe më tej, pasi India ju bashkua Kinës dhe Bashkimit Europian duke vendosur tarifa për produktet që importohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.