Nafta Brent, mbi 61 USD – Çmimet mbështeten nga rënia e rezervave në SHBA
Nafta Brent e Londrës u rrit pranë 61 dollarëve për fuçi në sesionin e sotëm, pasi të dhënat e publikuara në SHBA treguan një rënie më të madhe se parashikimet të rezervave, gjatë javës së kaluar. Megjithatë, shqetësimet për një recesion global po kufizojnë fitimet.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 61 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 57 dollarë për fuçi. Sipas të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës, rezervat ranë me 3.5 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 16 gusht. Analistët parashikonin një rënie me 1.9 milionë fuçi.
Gjithsesi, tregjet po presin të dhënat zyrtare që publikohet më vonë gjatë ditës së sotme nga administrata amerikane. Ndërkohë, në fokus të investitorëve është edhe tensioni në Lindjen e Mesme, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin çdo aksion të mundshëm për të parandaluar tankerin iranian, që gjendet në Mesdhe, ta çojë naftën në Siri, në kundërshtim me sanksionet amerikane. Çmimet u mbështetën edhe nga të dhënat që treguan një rënie të eksporteve të naftës nga Arabia Saudite, gjatë qershorit.
Arabia Saudite planifikon ti mbajë eksportet e naftës pranë 7 milionë fuçive në ditë në gusht dhe shtator, pavarësisht kërkesës së lartë konsumatore. Por, paqartësitë mbi ekonominë globale dhe lufta tregtare SHBA-Kinë po ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi çmimet e naftës.
Lidion Kulla/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.