Nafta e fillon javën në rritje – Sanksionet e SHBA ndaj Iranit mbështesin çmimet
Çmimet e naftës e kanë filluar javën në rritje të konsiderueshme, për shkak të shqetësimeve që kanë të bëjnë me rishikimin sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj Iranit.
Gjithashtu, konflikti në Irak dhe shpërthimi në një rafineri në SHBA kanë mbështetur çmimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 57.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane tregtohet në rreth 51.9 dollarë për fuçi.
Analistët shprehen se, mundësia që Amerikane të shtojë sanksionet ndaj Iranit është arsyeja kryesore që ka mbështetur çmimet. Presidenti Donald Trump u shpreh kundër marrëveshjes bërthamore me Iranin të arritur në vitin 2015, duke sfiduar si aleatët ashtu edhe kundërshtarët.
Sipas ligjit amerikan, presidenti duhet të vërtetojë çdo 90 ditë në Kongres, se Irani po e respekton marrëveshjen. Tashmë, Kongresi amerikan do të ketë 60 ditë kohë, për të vendosur nëse do të riaplikojë sanksionet ndaj Teheranit.
Gjithashtu, në treg ekzistojnë shqetësime në lidhje me stabilitetin në Irak, që është prodhuesi i dytë më i madh i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, pas Arabisë Saudite.
Të dielën, forcat irakene të sigurisë filluan një aksion në një fushë të madhe naftëmbajtëse, që kontrollohen nga forcat kurde, pranë qytetit të pasur me naftë, Kirkuk.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.