Nafta e mbyll javën në rënie – Investitorët, të shqetësuar për ngadalësimin e kërkesës
Nafta po shfaqet e qendrueshme në sesionin e fundi të kësaj jave, por po gjendet nën presion për shkak të shenjave të tjera për ngadalësimin e ekonomisë globale. Në anën tjetër, po gjejnë mbështetje nga ulja e prodhimit nga OPEC dhe sanksionet amerikane ndaj Venezuelës. Megjithatë, përgjatë gjithë javës, dy bençmarkët kryesorë pritet të publikojnë humbje. Investitorët janë të shqetësuar edhe për tensionet tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Palët do të takohen sërish javën e ardhshme, në përpjekje për të arritur një marrëveshje mbi tregtinë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 61.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 52.5 dollarë për fuçi. Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të enjten se nuk ka në plan të takohet me presidentin e Kinës, Xi Jinping, përpara datës 1 mars, kur është edhe afati i fundit, që dy vendet të arrijnë një marrëveshje mbi tregtinë.
Shqetësimet janë rritur edhe më tej, pasi Komisioni Europian uli parashikimet për rritjen ekonomike në Eurozonë, gjatë këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm, kryesisht për shkak të tensioneve tregtare. Një faktor tjetër që po rëndon mbi çmimet e naftës është edhe forcimi i dollarit amerikan, gjatë kësaj jave. Referuar të dhënave të tjera, Arabia Saudite, që është de facto lider i OPEC, e reduktoi prodhimin me 400 mijë fuçi në ditë, gjatë janarit, në një total prej 10.24 milionë fuçi në ditë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.