Nafta e nis javën në rënie. Investitorët presin takimin e OPEC+ mbi kuotat e prodhimit
Nafta e ka nisur në rënie sesionin e parë të kësaj jave, ndërkohë që investitorët po presin takimin e OPEC dhe aleatëve të tjerë, të cilët takohen më 15 korrik. Analistët mendojnë se grupi që njihet si OPEC+ do të lehtësojë uljen e kuotave të prodhimit, prej 9.7 milionë fuçi në ditë që është aktualisht. Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 42.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 40 dollarë për fuçi.
Gjithashtu, investitorët vijojnë të jenë të shqetësuar për rritjen e numrit të të prekurve me Covid-19, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye, disa shtete amerikane kanë vendosur kufizime në udhëtime, që mund të dëmtojnë kërkesën për naftë. Në sesionin e së premtes, ndërkohë, nafta u rrit me mbi 2%, pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë rishikoi në rritje me 400 mijë fuçi në ditë, kërkesën për vitin 2020. Investitorët janë në pritje edhe të takimit të OPEC+, që mblidhen të martën dhe të mërkurën për të vendosur mbi politikat e prodhimit. Sipas informacioneve, OPEC dhe Rusia janë pro lehtësimit të kuotave të prodhimit, pasi kërkesa po rimëkëmbet gradualisht.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.