Nafta e nis javën në rënie – Ndikon ndërprerja e sulmeve në Siri dhe prodhimi në SHBA
Çmimet e naftës kanë rënë me rreth 1% në sesionin e sotëm, për shkak se sulmet ajrore në Siri ishin të përqendruara dhe për shkak të rritjes së aktivitetit të shpim-kërkimit në SHBA.
Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania hodhën 105 raketa të shtunën në Siri, me objektiv tre magazina ku mendohej se mbaheshin armët kimike.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 71.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 66.8 dollarë për fuçi. Shumica e analistëve mendojnë se, pas sulmeve të fundjavës me shumë mundësi nuk do të ketë sulme të tjera.
Nafta po gjendet nën presion edhe për shkak të rritjes së aktivitetit të shpim-kërkimit në SHBA.
Kompanitë amerikane e shtuan me 7 njësi numrin e puseve aktive, gjatë javës që u mbyll më 13 prill, në totalin e 815 puseve, niveli më i lartë që nga marsi i vitit 2015.
Gjithsesi, që nga niveli më i ulët për këtë vit, të regjistruar në shkurt, nafta Brent është rritur me rreth 16%, për shkak të kërkesës së shëndetshme dhe tensioneve në Lindjen e Mesme.
Pavarësisht se Siria nuk është një prodhues i rëndësishëm i naftës, çdo tension në Lindjen e Mesme ndikon në tregje.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.