Nafta e nis javën në rënie – Rritet aktiviteti i shpim-kërkimit në SHBA
Çmimet e naftës e kanë filluar javën në rënie të lehtë për shkak të rritjes së kostove të huamarrjes në SHBA dhe pritshmërive për një rritje tjetër të prodhimit në ekonominë më të madhe në botë. Nafta Brent e Londrës po qëndron në rreth 73.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 67.8 dollarë për fuçi.
Analistët shprehen tregu vijon të gjendet nën presion, kryesisht për shkak të tensioneve gjeopolitike. Yieldi i bonove amerikane u rrit drejt nivelit të 3%, një nivel që në të kaluarën ka shkaktuar një shitje masive të aksioneve, bonove dhe lëndëve të para.
Gjithashtu, ky zhvillim në tregje vjen në një moment kur Arabia Saudite ka deklaruar se synon çmime prej 100 dollarë për fuçi. Megjithatë, pavarësisht rënies në sesionin e sotëm, tregu i naftës vijon të mbështetet, në mënyrë të veçantë nga rritja e kërkesës në Azi.
Gjatë vitit të kaluar, ndërkohë, çmimet janë rritur me rreth 25% falë marrëveshjes së OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë.
Një presion i shtuar për çmimet vjen nga sanksionet amerikane ndaj Venezuelës, Rusisë dhe Iranit, që janë prodhues të rëndësishëm të naftës. Investitorët po tregohen të kujdesshëm pasi Shtetet e Bashkuara do të vendosin deri më 12 maj, nëse do të rikthejnë ose jo sanksionet ndaj Iranit.
Referuar të dhënave, aktiviteti i shpim-kërkimit në SHBA u rrit në nivelin më të lartë në 3 vitet e fundit, që sugjeron një rritje të prodhimit në të ardhmen afatshkurtër. Aktualisht, SHBA prodhon 10.54 milionë fuçi në ditë dhe vetëm Rusia prodhon më tepër, rreth 11 milionë fuçi në ditë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.