Nafta e nis javën në rritje – Tensionet në Lindjen e Mesme mbështesin çmimet
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, duke prekur nivelin më të lartë në disa javë, pasi OPEC sinjalizoi se mund të mbajë në fuqi marrëveshjen për uljen e prodhimit edhe përtej qershorit.
Kjo ka qenë arsyeja kryesore që ka mbështetur çmimet e naftës gjatë këtij viti. Gjithashtu, çmimet kanë gjetur një mbështetje edhe nga rritja e tensionit në Lindjen e Mesme. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 73 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga 26 prilli. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 63.4 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga 1 maji. Ministri i Energjisë në Arabinë Saudite, Khalid al-Falih, deklaroi se ka një konsensus te gjerë mes vendeve të OPEC dhe aleatëve për ti ulur më tej rezervat globale të naftës, por paralajmëroi se karteli do të jetë vigjilent ndaj brishtësisë së tregut.
Ndërsa, ministri i Energjisë në Emiratet e Bashkuara Arabe u shpreh se prodhuesit janë të aftë të plotësojnë çdo mungesë që mund të shkaktohet në treg. Presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi Teheranin se një konflikt do të ishte “fundi zyrtar” i Iranit, ndërsa Arabia Saudite tha se është e gatshme ti përgjigjet me të “gjithë fuqinë” dhe është në dorën e Iranit për të shmangur luftën.
Retoria e ashpër vjen pas sulmeve ndaj aseteve të naftës të Arabisë Saudite dhe hedhjen e një rakete në zonën e fortifikuar të Bagdadit, të quajtur “Zona e Gjelbër”, e cila shpërtheu në afërsi të ambasadës amerikane.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.