Nafta e nis javën në rritje – Tensionet në Lindjen e Mesme mbështesin çmimet
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, për shkak të shqetësimeve që kanë të bëjnë me çrregullimin e furnizimit, sidomos nga Lindja e Mesme.
Gjithashtu, investitorët janë të fokusuar te konflikti tregtar mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, që u përshkallëzua javën e kaluar. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 71.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 62.4 dollarë për fuçi. Arabia Saudite deklaroi të hënën se, dy tankerë sauditë ishin nën objektivin e disa sulmeve sabotuese jashtë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke e cilësuar sulmin si një përpjekje për të minuar furnizimin e tregut global.
Emiratet e Bashkuara Arabe deklaruan se të dielën katër anije tregtare u sulmuan në afërsi të Fujairah. Porti gjendet pranë ngushticës së Hormuzit, një nga zonat më të rëndësishme të eksportit të naftës në botë. Ministria e Jashtme e Iranit e cilësoi incidentin një sulm të tmerrshëm dhe shqetësues dhe kërkoi një hetim mbi ngjarjen. Arabia Saudite është eksportuesi më i madh i OPEC dhe Emiratet e Bashkuara Arabe eksportuesi i tretë më i madh i organizatës.
Qeveria e Fujairah, një nga shtatë emiratet që formojnë Emiratet e Bashkuara Arabe, përgënjeshtroi lajmet për të plagosur brenda portit dhe tha se aktiviteti vijon normalisht. Gjithashtu, tregjet po mbështeten nga sanksionet e SHBA ndaj Iranit dhe Venezuelës. Por, në anën tjetër, intensifikimi i luftës tregtare SHBA-Kinë po kufizon fitimet. Dy ekonomitë më të mëdha në botë përfaqësuar rreth 34% të konsumit global të naftës, gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.