Nafta, e qëndrueshme – Investitorët presin bisedimet SHBA-Kinë
Çmimet e naftës po qendrojnë pranë nivelit më të lartë për këtë vit, edhe në sesionin e sotëm, dhe po mbështeten nga marrëveshja e OPEC për ulur prodhimin. Megjithatë, shqetësimet që kanë të bëjnë me ngadalësimin e ekonomisë kanë kufizuar fitimet. Gjithashtu, investitorët po presin edhe takimin mes SHBA dhe Kinës mbi tregtinë. Ulja e prodhimit nga OPEC dhe Rusia ka ndihmuar çmimet e naftës që të rriten me rreth 25%, gjatë këtij viti.
Për shkak të rritjes së rezervave globale, që nga një janari OPEC dhe Rusia kanë filluar uljen e prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 66.2 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 56.1 dollarë për fuçi. Investitorët, ndërkohë, janë të shqetësuar për ngadalësimin e kërkesës. Banka HSBC Holdings paralajmëroi se, ngadalësimi i ekonomisë kineze dhe shqetësimet që kanë të bëjnë me Brexit, mund të ushtrojnë presion mbi çmimet.
Ditën e sotme pritet të rifillojnë bisedimet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi tregtinë. Tregtarët shprehen se, do të tregohen të kujdesshëm në pozicionimin e tyre, derisa të publikohen detajet e takimit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.