Nafta i rikthehet humbjeve – Investitorët, paqartësi për marrëveshjen tregtare SHBA-Kinë
Çmimet e naftës i janë rikthyer humbjeve në sesionin e sotëm, pas 8 ditësh në rritje, për shkak të paqartësive në lidhje me ndonjë rezolutë të nënshkruar mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, pas bisedimeve 3-ditore mbi tregtinë të zhvilluara në Pekin. Humbjet u zgjeruan më tej, pas të dhënave të publikuara në SHBA, që treguan se rezervat e naftës vijojnë të qëndrojnë në nivele të larta. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 51.6 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent po tregtohet në rreth 60.6 dollarë për fuçi.
Të dy bençmarkët u rritën me rreth 5% në sesionin e së mërkurës. Edhe tregjet globale të aksioneve janë rritur ndjeshëm gjatë sesioneve të fundit, për shkak të pritshmërive se Uashingtoni dhe Pekini, shumë shpejt mund ti japin fund luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Përfaqësuesi amerikan në bisedimet për tregtinë, tha të mërkurën se të dyja palët kanë diskutuar “mënyrat për të arritur drejtësinë, reciprocitetin dhe balancën në marrëdhëniet tregtare”.
Ndërsa, ministria kineze e tregtisë tha se bisedimet “krijuan bazën për zgjidhjen e shqetësimeve dypalëshe”. Ndërkohë, banka amerikane, Morgan Stanley, e uli me rreth 10% parashikimin për çmimin e naftës gjatë këtij viti, për shkak të rritjes së dobët ekonomike dhe rritjen e furnizimit, sidomos nga SHBA. Banka parashikon një çmim mesatar për naftën Brent në 61 dollarë për fuçi, nga 69 dollarë që ishte vlerësimi i mëparshëm. Ndërsa për naftën Bruto amerikane Morgan Stanley parashikon një çmim mesatar prej 54 dollarë për fuçi, nga 60 dollarë që vlerësonte më parë. Referuar të dhënave në SHBA, gjatë javës që u mbyll më 4 janar, prodhimi në SHBA qendroi në një nivel rekord prej 11.7 milionë fuçi në ditë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.