Nafta i rikthehet humbjeve – Ndikon rritja surprizë e rezervave në SHBA
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie në sesionin e sotëm, me naftën Brent që ka rënë poshtë 70 dollarëve për fuçi dhe naftën Bruto poshtë 65 dollarëve për fuçi. Rënia e çmimeve është ndikuar nga rritja surprizë e rezervave në SHBA, gjatë javës së kaluar.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 64.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 69.7 dollarë për fuçi.
Instituti Amerikan i Naftës raportoi një rritje surprizë me 5.3 milionë fuçi, të rezervave të naftës, gjatë javës që u mbyll më 23 mars, në totalin e 430.6 milionë fuçive.
Gjithsesi, të dhënat zyrtare të qeverisë mbi rezervat do të publikohen pasditen e sotme nga Administrata për Informimin mbi Energjinë. Çmimet po përballen me një presion konstant nga rritja e prodhimit në SHBA, që aktualisht gjendet në 10.4 milionë fuçi në ditë.
Megjithatë, humbjet po kufizohen nga deklarata e Arabisë Saudite, që tha se po punon me Rusinë për një marrëveshje afatgjatë në tregun e naftës, që mund të zgjasë deri në 20 vite.
Princi i Kurorës në Arabinë Saudite, Mohammed bin Salman, deklaroi për Reuters se, Rihadi dhe Moska po diskutojnë zgjatjen e aleancën me 10 deri në 20 vite, për të parandaluar rënie drastike të çmimeve, siç ndodhi në vitin 2016.
Ndërkohë, në Azi kontratat “futures” së naftës bruto të Shanghait u karakterizuan nga një volum i lartë, por edhe nga paqëndrueshmëria, në sesionin e tretë të tregtimit. Nafta Bruto e Shanghait ra me 3.75% të mërkurën në 410.4 juan ose 65.37 dollarë për fuçi.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.